Doganierët në Jarinje që 7 ditë të bllokuar

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka bërë të ditur se doganierët e sistemuar në pikën kufitare Jarinjë që nga e shtuna janë në krye të detyrës zyrtare pa pasur mundësi të kryhen ndërrimet me oficerët tjerë doganorë.
Sindikata njofton se ndërrimet me oficerët doganor nuk po mund të bëhen për arsye të bllokimit të rrugës në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
“Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës si zë i fuqishëm i anëtarësisë së saj bashkëndjen punën me doganierët e sistemuar në PKK Jarinjë. Sindikata njëherit i përgëzon institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti doganierët e policët për vendosmërinë, guximin dhe përkushtimin e tyre drejt shtrirjes dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës“, thuhet në njoftim.
Oficerët Doganor që nga e shtuna janë në kryerje të detyrës zyrtare, duke mos pasur mundësi të kryhen ndërrimet me oficeret tjerë doganor, për arsye të bllokimit të rrugëve në këtë pjesë Republikës së Kosovës.
“Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës uron që doganierët, policët dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës prezent në atë pjesë që të mos kenë pasoja, njëherit fton institucionet kompetente që të kujdesen për sigurinë, kushtet e punës dhe shëndetin e doganierëve, policëve dhe qytetareve atje”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo ka qenë përgjigja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij më vonë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës./21Media

Back to top button