Aliu kërkon liri për Salih Mustafën
Ministri i Infrastrukturë, Liburn Aliu e ka quajtur të pamerituar dhe të rëndë dënimin e ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali.
Ai përmes një postimi në rrjetet sociale tha se Mustafa luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi serb, dhe kërkoi liri për të.
“ Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë. Plot 26 vite dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë. Lavdi luftës së pastër të UÇK-së.Liri për çlirimtarin, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të luftës për liri! Liri për komandant Calin!”, shkroi ai në Facebook.
Gjykata Speciale dënoi me të enjten me 26 vjet heqje lirie Salih Mustafën. Ai u shpall fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.
Lidhur me këtë vendim nga Qeveria e Kosovës deri më tani ka reaguar edhe Ministri i Mbrotjes, Armend Mehaj duke e quajtur të padrejtë Gjykatën Speciale./21Media