Doza e tretë e vaksinës – më shumë JO se PO!

Përdorimi i dozave shtesë të vaksinave kundër kovid-19 në të gjithë popullatën nuk është i justifikuar tani për tani, kanë vlerësuar ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Agjencia Amerikane e Mjekimeve (FDA), raporton Hina e Zagrebit.
“Vaksinat, të cilat janë në dispozicion në sasi të kufizuara, do të shpëtojnë më shumë jetë nëse ua japim njerëzve që janë në rrezik të madh nga COVID-i i rëndë dhe që ende nuk janë vaksinuar,” shkruajnë ekspertët në revistën mjekësore britanike “The Lancet”.
“Të dhënat aktuale nuk tregojnë nevojën për të rivaksinuar të gjithë popullatën, ku efikasiteti kundër formave të rënda mbetet i lartë,” vazhdon grupi i ekspertëve ndërkombëtarë, i cili përfshin ekspertë nga OBSH dhe FDA dhe disa organizata kërkimore nga e gjithë bota.
Mundësia e një doze shtesë, zakonisht të tretën për të gjithë popullatën – është e një temë debati të nxehtë.
Në vende si Franca, vaksinimi me dozën e tretë ka filluar për kategori të caktuara të popullsisë, gjashtë muaj pas vaksinimit si dhe atyre njerëzve me imunitet të dobësuar. Këto vende e justifikojnë këtë me rënien e efektivitetit të vaksinave kundër virusit Delta, dhe kjo rënie duket se intensifikohet me kalimin e kohës.
Disa shkuan edhe më tej. Në Izrael,p.sh. doza e tretë e vaksinimit është në dispozicion për të gjithë mbi moshën 12 vjeç dhe pesë muaj pas vaksinimit të dytë. Shtetet e Bashkuara po fillojnë një fushatë shtesë vaksinimi më 20 shtator, duke filluar me më të moshuarit.
Por, OBSH ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur parimin e një doze shtesë për të gjithë popullsinë, me besimin e thellë se kjo masë nuk është e bazuar shkencërisht dhe duke e theksuar edhe pabarazinë me vendet e varfra.
Ekspertët, artikulli i të cilëve u botua nga “The Lancet”, besojnë se, edhe nëse niveli i antitrupave me kalimin e kohës bie tek njerëzit e vaksinuar,kjo nuk do të thotë se vaksinat janë më pak efektive kundër formave të rënda të sëmundjes.
Ata theksojnë një lloj tjetër të përgjigjes imune – imunitetin qelizor, i cili është më i vështirë për t’u matur…
Përveç kësaj,ata rekomandojnë zhvillimin e vaksinave shtesë, të dizajnuara posaçërisht për llojet e tjera të viruseve më rezistent që mund të shfaqen në të ardhmen, në vend se të përdoren doza shtesë të vaksinave ekzistuese./E.D-21Media

Back to top button