Doza e tretë e vaksinës, Raka jep sqarime

Mikrobiologu Lul Raka ka dhënë disa sqarime në lidhje me dozën e tretë të vaksinës antiCovid-19. Sipas tij, kjo vaksinë po jepet pasi që disa persona nuk grumbullojnë numrin e duhur të anti-trupave andaj kjo dozë ua forcon imunitetin atyre.

”Doza e tretë (ose doza shtesë) u jepet personave me sistem imunitar të kompromituar apo të dobësuar rëndë, pasi që ata nuk arrijnë të krijojnë nivel adekuat të mbrojtjes me vaksinimin standard. Sistemi imunitar i tyre mund të kompromitohet për shkak të sëmundjes shoqëruese ose terapisë mjekësore”, ka sqaruar Raka në një postim në Facebook.
Raka gjithashtu ka shkruar edhe për kohëzgjatjen e imunitetit pas vaksinimit kundër Covid. Sipas tij mbrojtja kundër SARS-CoV-2 fillon të ulet me kalimin e kohës pas dozave fillestare të vaksinimit, veçanërisht tek personat me rrezik më të lartë ose tek ata që janë vaksinuar në fillim.
”Por, disa të dhëna të fundit shkencore të nxjerra nga vendet që kanë programe të avancuara të vaksinimit, dëshmojnë se mbrojtja kundër infeksionit SARS-CoV-2 fillon të ulet me kalimin e kohës pas dozave fillestare të vaksinimit, veçanërisht tek personat me rrezik më të lartë ose tek ata që janë vaksinuar në fillim. Prandaj, sipas këtyre rezultateve do të nevojitet një dozë përforcuese e vaksinës për të rritur në maksimum mbrojtjen vaksinale dhe për të zgjatur qëndrueshmërinë e veprimit të saj”, ka shkruar ndër tjera Raka.
Në një konferencë për media gjatë kësaj jave Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19 do të jetë në dispozicion për qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm./21Media
Back to top button