Dr. Driton Shabani tregon se si bëhet trajtimi dhe si parandalohet kapsllëku
“Kapsllëku paraqet një gjendje kur shpeshtësia a jashëqitjes është më e pakët se 3 herë në javë, jashtëqitja kryhet me vështirësi apo është e fortë, ndjesia e mos zbrazjes së plotë të zorrës së trashë, e cila mund të vazhdojë edhe pas defekimikt apo edhe kur përjetohet ndjesia e bllokimit të vrimës së jashtëqitjes.”, kështu ka deklaruar gastroenterologu Driton Shabani, sipas të cilit, llogaritet se gati 30% e personave mbi 60 vjeç vuajnë nga kapsllëku.
Gastroenterologu Shabani ka treguar se forma më e shpeshtë e kapsllëkut është ai kronik për shkak të çrregullimit funksional të zorrëve, ku nuk gjendet ndonjë sëmundje e caktuar dhe shkaktarët më të shpeshtë të këtij lloji të kapsllëkut sipas tij, janë: Mos aktiviteti fizik, konsumimi në sasi joadekuate i lëngjeve, konsumimi i pakët i ushqimeve me përmbajtje të fibrave (pemëve dhe perimeve), gjinia femërore, mosha mbi 60 vjeçar apo sindromi i zorrëve nervoze (koloni spastik).
Ai ka treguar se kapsllëku mund të shkaktohet edhe nga:
Përdorimi i barnave të ndryshme siç janë: antidepresivët, barnat kundër sëmundjes së parkinsonit, verapamili, kodeina, antikolinergjikët, etj.
Çrregullimi i elektroliteve, ndryshimi i ushqimit, pengesave organike të zorrëve siç janë: tumoret, divertikulitet, hemorroidet e dhimbshme, absceset, fissurat etj.
Kapsllëku për shkak të çrregullimeve të gjëndrës tiroide: hypotireoza, hiperparatiroidizmi, shtatzënia.
Kapsllëku për shkak të sëmundjeve neurologjike: Sëmundja e parkinsonit , skleroza multiple.
Dr. Driton Shabani gjatë intervistës për rtv21.tv ka bërë të ditur se varësisht nga shkaktari bëhet edhe trajtimi i kapsllëkut.
“Nëse kapsllëku është për shkak të çrregullimit fuknsional të zorrëve, atëherë merren masat e përgjithshme siç janë: konsumimi i ushqimeve të pasura me fibra, siç janë perimet, frutat, kosumimi i sasis së mjaftueshme me lëngje së paku 1.5-2 litra në ditë, aktiviteti i rregullt fizik, mosvonimi i procesit të jashtëqitjes, të bëhet jashtëqitja së paku një herë në ditë.”, ka potencuar ai.
Nëse kapsllëku është i natyrës tjetër atëherë, sipas Dr. Shabanit, eliminohet shkaktari, përshembull te çrregullimet organic i zorrëve trajtohet tumori, divertikuliti, hemorroidet, fissurat etj, trajtohet gjendra tioride apo paratiroide nëse janë gjetur probleme, rregullimi i elektrolitëve, trjatimi i infeksionit, shmangia e përdorimit të barnave që shkaktojnë kapsllëk, etj.
“Përdorimi i laksativëve (medikamenteve për të lehtësuar kapsllëkun) duhet të kryhet vetëm për një kohë të shkurtër për shkak të efekteve anësore që ato kanë. Konsultohuni me mjekun tuaj para se të filloni të përdorni barna kundër kapsllëkut.”, ka theksuar gastroenterologu.
Dr. Driton Shabani ka dhënë disa këshilla se si të parandalohet kapsllëku:
Konsumoni një dietë të shumëllojshme, të pasur me fruta, perime, fibra, dhe lëngje nga 1.5 deri në 2.5 litra në ditë.
Të keni kujdes nga barnat që shkaktojnë kapsllëk: Antidepresivë , antikolinergjikë, antiparkinsonikët, kodeina, verapamil etj.
Drejtohuni te mjeku për të sqaruar në kohën e duhur shkakun e konstipacionit.
Diagnoza në kohën e duhur dhe mjekimi përkatës çon në shmangien e komplikacioneve si:
-Rrezikun e lartë për Kancer Kolo-rektal (kancerin e zorrës së trashë),
-Rrezikun e lartë për Divertikulozë, Divertikulitis dhe hemorroide./21Media