Drejtimi “Mësimdhënia e Fizikës” që nga janari pa profesor, asnjë nga kandidatët nuk i plotësuan kriteret e konkursit

Që nga janari i këtij viti, me vdekjen e profesorit të fizikës, Fakulteti i Edukimit mbeti pa mësimdhënës në drejtimin “ Mësimdhënia e Fizikës” në nivelin master, ndërsa orët po mundohen t’i mbulojnë me bashkëpunëtorë nga Departamenti i Fizikës.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, thotë se sipas dispozitave rregullative konkursi ende është i hapur për personelin akademik.

“…dispozitat në fuqi për akreditimin e programeve janë obligative, ne do t’i aplikojmë, mbyllja e programeve varet prej kuadrit të aplikuarve dhe shpresoj që me kohë do të sigurohen të gjitha ato që duhet t’i kemi.

Zgjidhja është e thjeshtë ne aktualisht bashkëpunojmë me Departamentin e Fizikës për ta implementuar programin edhe tutje na duhet kuadër i kualifikuar për pozitat të cilat i kemi të hapura…”

Kryesuesi i komisionit vlerësues, Sadik Bekteshi, nuk e ka komentuar vlerësimin e kandidatëve me arsyetimin se konkursit ende nuk ka përfunduar, edhe pse asnjëri nga dy kandidatët në konkursin e shpallur nuk janë pranuar.

“…meqenëse ky raport do të vlerësohet edhe nga organe më të larta të UP, mund të miratohet ose mos të miratohet, pra jemi në një procedurë konkursi e cila akoma s’ka përfunduar; çdo aktivitet në këtë aspekt, pra edhe përgjigja në pyetjet e juaja, është një ndërhyrje në proces…”

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, këtë situatë po e sheh shumë shqetësuese, duke besuar fuqishëm për siç thotë ai se ka njerëz të kualifikuar për këtë pozitë.

Deri më 26 të këtij muaji kandidatët mund të paraqesin ankesa. Përndryshe, mungesën e ligjëruesëve të lëndës së fizikës e kanë ngritur si shqetësim  viteve  të fundit edhe drejtoritë komunale të arsimit./21Media

Back to top button