Drejtorët komunalë të arsimit kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave

Kolegjiumi për Arsim i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për miratimin e Ligjin për Paga.
Përfaqësuesit e Kolegjiumit për Arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, janë takuar sot me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Në këtë takim, Rrahman Jashari, kryetari i Sindikatës dhe Ymer Ymeri, sekretar i Sindikatës njoftuan përfaqësuesitë e Kolegjiumit për Arsim në lidhje me kronologjinë e kërkesave të Sindikatës kundrejtë Qeverisë së Kosovës dhe zhvillimet e fundit sa i përket grevës së përgjithshme në arsim.
“Kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim Samir Shahini, bashkë me Drejtorët Besianë Musmurati nga Drejtoria Komunale për Arsim në Prishtinë dhe Afrim Llabjani nga Drejtoria Komunale për Arsim në Ferizaj, paraqitën shqetësimin e Kolegjiumit në lidhje me neglizhencën e Qeverisë në raport me kërkesat e SBASHK-ut dhe shqetësimin e përbashkët mbi pasojat që greva do mund të sjellë në të gjitha nivelet dhe proceset në arsim”, thuhet në njoftimin e Asociacionit.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se kryesia e Kolegjiumit theksoi se pasojat e një greve të tillë i bartë niveli lokal, “përkundër faktit që zgjidhja nuk është në dorën e tyre”.
“Kolegjiumi është i gatshëm të ndihmoj në gjetjen e një zgjidhje, dhe ofron bashkepunim për të gjitha palët e përfshira. Kolegjiumi për Arsim bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë duke uruar që palët përgjegjëse të marrin përgjegjësitë që u takojnë në interesin më të mirë të nxënësve dhe arsimit në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Asociacionit.
Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sot informoi se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë./21Media
 

Back to top button