​Drejtori i Policisë vizitoi fshatin Banjskë ku ndodhi sulmi të dielën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka vizituar fshatin Banjskë në veri të vendit, dy ditë pas sulmit terrorist ndaj PK-së ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai ka qëndruar në vendin e ngjarjes ku është shoqëruar nga zëvendëskomandanti i KFOR-it si dhe ka takuar këshilltarin e EULEX-it për drejtorinë rajonale në veri të Mitrovicës

“Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Kolonel Hoxha gjithashtu është interesuar rreth ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve, nga njësitet policore dhe “siguroi që PK-ja do të vazhdojë tu ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre”.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa deri tani dihet për tetë persona të arrestuar.

Back to top button