Dvorak: Integrimet e Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin

Ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak ka thënë se procesi i integrimit të Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun Kosovë – Serbi.
“Shprehja e miqësisë përfshin edhe të qenit i hapur e i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, ka thënë Dvorak.
Ai ka shtuar se Kosova është nën presion për të treguar pozitivitet e konstruktivitet në dialog me Serbinë.
“Nuk më pëlqen ta them hapur, por duhet të them se Kosova është nën presion për të treguar pikëpamje pozitive e konstruktive në dialog me Serbinë”, tha Dvorak.
Dovrak po ashtu ka thënë Republika Çeke është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugë e po ashtu në anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare.
Ai po ashtu është shprehur optimist për anëtarësimin të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Bislimi: Procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi i integrimit në BE
Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është shumë me rëndësi që të ndahet procesi i dialogut Kosovës – Serbi nga procesi i integrimit të Kosovës në BE.
“Ne kemi ndarë shumë momente historike dhe suksese me qeverinë çeke. Më 15 dhjetor të vitit 2022, kryeministri Kurti në Pragë paraqiti aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Puna jonë me Republikën Çeke ka sjellë rezultate. Për shkak të këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm ne kemi ngritur bashkëpunimin në nivelin e ambasadorëve me të drejta të plotë. Ne po ashtu kemi biseduar për masat aktuale kundër Kosovës. Pozita jonë është që masat duhet të hiqen, por më e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”, ka thënë Bislimi.