Dy sportele në Rinas rikthehen në punë me sistemin TIMS, po punohet për të tjerat

Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka bërë të ditur se dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS.
“Në vijim të punës së pandërprerë nga ekspertët tanë dhe ata të vendeve aleate, aktualisht dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS”, ka informuar Ministria duke shtuar se shumë shpejt do të kemi rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.
Më herët, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar të gjithë pasagjerët se pavarësisht problemeve momentale me sistemin TIMS, operimet vazhdojne pa vonesa në aeroport.
Fluturimet vazhdojnë sipas planit, megjithatë, TIA, ka apeluar pasagjerët që të jenë të pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza” 2 orë e gjysmë përpara fluturimit për të shmangur çdo shqetësim.
Autoritetet kanë njoftuar sot se Irani ka goditur sërish një prej sisteme të rëndësishme informatike, atë të rregjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS./oranews

Back to top button