E ardhmja e Brexit-it
Johnson synon që me ligj t’i bllokojë shtyrjet e reja
Qeveria britanike pritet ta fusë një nen shtesë në projektligjin për Brexit-in në mënyrë që ligjërisht t’ia ndalojë kuvendit mundësinë e shtyrjes së këtij procesi përtej fundit të vitit të ardhshëm.
Periudha kalimtare e Brexit-it, e cila është paraparë të përfundojë në dhjetor të vitit 2020, me legjislacionin e tanishëm mund të shtyhet me marrëveshje të dyanshme deri në dy vjet.
Megjithatë, projektligji i ndryshuar nga qeveria, i cili pritet të votohet këtë javë në Dhomën e Ulët, do t’i përjashtonte të gjitha shtyrjet e reja të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Analistët thonë se ky ndryshim i ka rritur gjasat për largimin e vendit nga BE-ja pa marrëveshje tregtare me bllokun.
Ministri në hije për Brexit-in, Sir Keir Starmer, tha se veprimi i qeverisë është i pamatur dhe i papërgjegjshëm dhe se kryeministri Johnson po përgatitet që t’i rrezikojë vendet e punës.
Pritet që qeveria ta dërgojë projektligjin në kuvend të premten e kësaj jave. Pas sigurimit të një shumice prej 80 votash në zgjedhjet e këtij muaji, kryeministri Johnson besohet se do ta arrijë qëllimin e tij për miratimin e legjislacionit për Brexit-in në kuvend./21Media