Edhe në Skënderaj nuk funksionon E-kioska, thonë se përgjegjësia është të ARC

Komunat janë duke u përballur me mosfunksionim të E-kiosqeve, e kjo po shkakton radhë të gjata të qytetarëve sidomos në Prishtinë të cilët presin për të marrë një dokument.
Një gjë e tillë po ndodh si pasojë e disa ndryshimeve që janë bërë në certifikata.
Lidhur me këtë Komuna e Prishtinës ka thënë se nuk është kompetencë e tyre të ndërmarrë veprime, pasi që sipas tyre këto ndryshime po bëhen nga Mnistria e Punëve të Brendshme.
Por nga kjo ministri për portalin rtv21.tv kanë thënë se për realizmin e shërbimeve tani në dorë punën e kanë TI e komunave.
Ndërsa, sërish nga Komuna e Prishtinës për portalin rtv21.tv kanë thënë se E-kiosqet nuk po funksionojnë pasi që janë ndaluar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
E me këtë problem po përballet edhe Komuna e Skënderajt.
Nga kjo komunë për portalin rtv21.tv kanë thënë se përgjegjësia është te Agjencia e Regjistrimit Civil, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“E-kioska është jashtë funksionit në Skenderaj për arsye të ndryshimeve që i ka bërë Agjencioni i Regjistrimit Civil, në lidhje me përdorimin e letrës së thjeshtë A4. E gjithë përgjegjësia për funksionalizimin e E-kioskës në këtë rast është tek ARC-ja.”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Skenderajt.
Portali rtv21.tv ka provuar të marrë përgjigje nga ARC sa i përket pyetjes se kur do të funksionalizohen E-kiosqet dhe si qëndron problemi, por që nuk kanë qenë të qasshëm./21Media

Back to top button