Edhe Republika e Kosovës solidarizohet me Ukrainën
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca sot ka e ka dënuar agresionin e Rusisë mbi shtetin sovran të Ukrainës.
Ai ka shkruar se edhe Kosova solidarizohet me Ukrainën.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Rusia ka nisur sulmin masiv ushtarak me synim të pushtimit të Ukrainës. E dënojmë ashpër agresionin e Rusisë mbi shtetin sovran të Ukrainës. Në këto momente sfiduese për paqen globale dhe të drejtën ndëkombëtare, sikur e gjithë bota demokratike, edhe Republika e Kosovës solidarizohet me Ukrainën, me popullin dhe udhëheqjen ukrainase.”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani ka thënë se Kosova qëndron me Ukrainën dhe njerëzit e saj teksa ata po përballen me pasojat e një luftë të pa provokuar si rezultat i veprimeve të agresionit nga Rusia.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se solidarizohet me popullin ukrainas, pasi Rusia ka nisur pushtimin në Ukrainë. Kurti ka thënë se janë të orientuar për pavarësinë e e Ukrainës, bashkë me aleatët ndërkombëtar.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në Bruksel, ka dënuar Vladimir Putinin për “kthimin e luftës në Evropë”. Ajo ka njoftuar se një paketë sanksionesh “masive” do të propozohet më vonë në një përpjekje për të dobësuar bazën ekonomike të Rusisë dhe “kapacitetin e saj për t’u modernizuar”.
Vladimir Putin ka njoftuar operacionin ushtarak në Ukrainë në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës – dhe minuta më vonë, sipas raporteve, janë lëshuar granatimet dhe raketat e para në Ukrainë.
Shtatë persona raportohet se kanë vdekur nga bombardimet nga forcat ruse./21Media