Edhe sot diskutohet për 100 ditët e Qeverisë Kurti II

Edhe sot në Kuvendin e Kosovës do të diskutohet për 100 ditët e Qeverisë Kurti II.
Seanca për debat e iniciuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të fillojë në ora 10:00.
Të hënën deputetët e Kuvendit diskutuan për 100 ditë të Qeverisë Kurti, për çka kjo e fundit u kritikua nga opozita.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi është mburrur me punën e ekzekutivit në 100 ditë qeverisje, derisa theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë po jetësohet.
Nga PDK, si iniciuesi e këtij debati u tha se Qeveria nuk ka filluara që ta jetësojë asnjë prej zotimeve, për të cilat edhe e mori votën e qytetarëve më 14 shkurt të 2021.
Në cilësi të iniciuesit të këtij debati, kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi domosdoshmërinë e diskutimit për 100 ditët e punës së çdo qeverie, e në rastin konkret, të Qeverisë së Kosovës.
Raporti për 100 ditë të punës së Qeverisë së Kosovës sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është i thatë, dëshpërues. Ai pati kritika për krahasimin e ekonomisë për shtatë muajt e parë të vitit me atë të vitit të kaluar, kur vendi ishte i mbyllur përshkak të pandemisë. E që kjo sipas tij është një tentim që pazotësia e Qeverisë Kurti II të mbulohet me numra.
Ndryshim tjetër i Qeverisë u tha të jetë edhe qëndrimi për reciprocitetin ndaj Serbisë.
Gjithçka që është bërë nga Qeveria Kurti, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha të jetë shkarkimi i bordeve dhe rehatimi i bashkëpartiakëve.
Por gjitha kritikat e opozitës i ka hedhur poshtë i pari i Qeverisë, Albin Kurti.
Ai tha se qeveria e tij nuk krahasohet me të kaluarat duke theksuar edhe se gara e tij nuk është me të kaluarën por me të ardhmen. Kryeministri Kurti theksoi se 100 ditë të qeverisjes së tij janë kthesë drejtë zhvillimit
Kreu i qeverisë tha se me reformat e nisura në drejtësi dhe financa e ekonomi, është rritur besimi i qytetarëve. Po në këtë frymë, ai tha se shteti i Kosovës shpesh herë pas luftës është përmendur për të keq në raportet e jashtme, ndërsa tani, sipas tij, kjo na filluar të ndryshojë.
Në vazhdim, kryeministri Kurti foli edhe për luftimin e pandemisë, për të cilën ka thënë se ka qenë prioritet i qeverisë së tij, për anulimin e disa kontratave dhe marrëveshjeve të bashkëpunimi, që, sipas tij, janë cilësuar si të dëmshme, për shkatërrimin e disa grupeve kriminale etj.
Seanca vijoi me diskutime të deputetëve, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me punën e qeverisë gjatë periudhës 100-ditore. Përderisa deputetë nga radhët e opozitës adresuan kritika, deputetë të pozitës vlerësuan lart punën e ekzekutivit.

Back to top button