Edicioni i 14-të i Prifest-it do të hapet dhe mbyllet me film në gjuhën shqipe

Hapja dhe mbyllja e Festivalit të filmit, PriFest, edicioni i 14-të do të bëhet me film në gjuhën shqipe. Filmi “Vera andrron detin” do ta hapë festivalin, ndërsa filmi “Virgjëresha Shqiptare” në regji të Bujar Alimanit do të mbyllë edicionin e 14-të të PriFest.
“Virgjëresha Shqiptare” ka pasur premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Varshavë, ku ka fituar dy çmime. Filmi “Virgjëresha Shqiptare” është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Gjermanisë, Belgjikës dhe Kosovës.
“Jemi të lumtur që sikurse edhe në hapje të PriFest-it me filmin ‘Vera andrron detin’, edhe në mbyllje do të kemi film në gjuhën shqipe, për më shumë edhe me pjesmarrje të madhe të filmbërësve nga Kosova. E kemi thënë shumë herë, promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit” tha Fatos Berisha, bashkëthemelues i festivalit.
PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe do të mbahet nga 20-25 shtator, për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit Vjosa Berisha, e cila ka ndërruar jetë me 23 qershor të këtij viti. Ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj./21Media

Back to top button