Ekrem Kastrati për RTV21 tha se po synon një Malishevë Urbane

Kryetari Ekrem Kastrati synon një Malishevë Urbane. Kastrati në një intervistë për portalin rtv21.tv ka thënë se projekti më i madh që pritet të jetësohet gjatë këtij mandat është “Projekti i Malishevës Urbane”.
I pyetur se cilat projekte kanë filluar më të marrë mandatin, i pari i Malishevës, Ekrem Kastrati është përgjigjur se janë duke u marrur me proceduarat.
“Inicimi i procedurës se prokurimit publik, për zgjedhjen e operatorit ekonomik, për hartimin e projekteve për nevoja publike. Kjo është një nismë fillestare në proces, që i hapë rrugë realizimit të projekteve në tërë territorin e komunës së Malishevës”, ka thënë ai, duke përmendur edhe projekte tjera që janë inicuar.
Udhëheqësi i Komunës së Malishevës ka thënë se përmes këtyre projekteve do t’u dalin në ndihmë të sëmurëve, nxënësve dhe skamnorëve.
“Projekti Kujdesi socio-shëndetësor shtëpiak dhe ambulator, për qytetaret e Komunës së Malishevës. Transporti i nxënësve me kushte te vështira ekonomike dhe sociale. Organizimi i transportit te nxënësve te fshatrave: Panorc, Janqisht, Guncat, Terpezë, Lladroc dhe Temeqinë. Furnizim me Miell, Pako ushqimore dhe Higjienike për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale”, ka thënë Kastrati.
Kastrati tha se synon investimin në infrastrukturën urbanistike të qytetit, kur u pyet se çfarë do të ndryshojë/investojë në Malishevë, diçka që kjo Komunë nuk e ka pasë asnjëherë!
Malisheva ka një buxhet prej 15 milionë eurosh. Kastrati për portalin rtv21.tv ka treguar se ku do të orientohen këto mjete.
“Totali: 15,655,757.01 euro, Pagat: 8,591,643.00 Euro, M/Sh: 1,729,730.00 Euro, Komunali: 455,000.00 Euro, Subvencione : 500,000.00 Euro, Kapitale: 4,379,384.00 Euro. Investimet kapitale kryesisht do te fokusohen për Malishevën Urbane, por edhe në infrastrukturën e nevojshme për vendbanimet e Komunës tonë, orientimi i një investimi kapital të rëndësishëm do të jetë edhe në sigurimin e ujit të pijës për të gjithë qytetarët e Komunës sonë”, ka thënë kryetari.
Kjo Komunë ka 814 familje me asistencë sociale, ndërsa Ekrem Kastrati për rtv21.tv ka premtuar se do të kujdesen për sigurimin e kushteve dhe mirëqenies më të mirë për këto familje.
E sa i përket fushës së shëndetësisë, Kastrati ka thënë se do të ofrojnë shërbime të mira shëndetësore, do ta rregullojnë infrastrukturën shëndetësore dhe do të pajisen me mjete të nevojshme për shërbime shëndetësore.
Ndërsa, në arsim kryetari vëmendjen e ka te “ngritja e cilësisë në arsim, furnizimi i vazhdueshëm me pajisje kabinetike dhe pasi qe kemi dhe një numër te vogël te shkollave që punojnë me dy ndërrime, edhe këto shkolla do te shikojmë mundësin e realizimit të mësimit me një ndërrim dhe të kalojnë pothuajse të gjitha shkollat në mësim me një ndërrim”./21Media

Back to top button