Elshani: Përderisa Radojqiqi është i lirë, policia duhet të jetë vigjilente

Kryetari i komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi i tha RTV21 se jeta në në komunën të cilën ai e udhëheqë po zhvillohet normalisht dhe situata e sigurisë është nën kontroll. Këto deklarata Hetemi i bëri pasi që ditë më parë janë larguar barrikadat të cilat ishin vendosur si masë e sigurisë për rreth objektit të komunës. Për një situatë të qetë në katër komunat e veriut flet edhe zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e veriut Veton Elshani. Ndërkohë qytetarët në Leposaviq ndjehen të sigurt por që kanë nevojë të jenë të lirë për siç thonë ta jetojnë jetën. Ndërkohë njohës të rrethanave thonë se kemi zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Muaj më parë në hapësirën për rreth objektit të Komunës, përveç telave gjembor të vendosur për shkaqe sigurie, këtu ishin pozicionuar edhe ushtarët e KFOR-it. E gjithë kjo, për shkak të zgjedhjes së kryetarit shqiptar, Lulzim Hetemi,  i cili u kundërshtua nga qytetarët serbë. Që nga zgjedhja e tij në krye të komunë së Leposaviqit, Hetemi qëndroi i ngujuar në objektin komunal për shtatë muaj rresht.

Ai vlerëson se qëllimi për shtrirjen e legjitimitetit në këtë komunë është arritur.

“Po përderisa po nënshkruhet peticioni sipas udhëzimit administrativ i lëshuar nga qeveria e Kosovës, në atë peticion është emblema e Kosovës atëherë qëllimi është arritë…”, tha Hetemi.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani, thotë se situata e sigurisë në katër komunat veriore aktualisht është stabile, por  ndjeshme.

“Këtu ka punë, nuk mund të them se ne nuk jemi këtu mirëpo këtu ka nevojë të regjistrohen bizneset të jenë akp-ja, ATK-ja, pra ka nevojë për shtrirje të tjera të institucioneve tona”, tha Elshani.

Derisa shprehen se duan të jetojnë në paqe, qytetarët serbë të Leposaviqit, kanë kritika  për kryeministrin Albin Kurti.

“Atë që po e do Albin Kurti nuk do të mund ta realizojë. Ai nuk mund të jetë lider i të gjithë shqiptarëve në këtë rajon. Këtu nuk është mirë, po ju jap një shembull shumica e nxënësve që e kanë përfunduar shkollën fillore kanë ikur për në Serbi që ta vazhdojnë shkollimin atje sepse këtu më askush nuk dëshiron të përballet me frikën nuk dëshiron të vdes”, tha një qytetar.

“Mendoj që situata është normale dhe se shpresoj që të jetë edhe më mirë gjithçka do të jetë në rregull nëse na lejojnë të jetojmë siç duam”, tha një qytetar tjetër në Leposaviq.

Ndërkohë zëvendës kryesues i asamblesë komunale në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku thotë se pas sulmit në Basnjkë situata në katër komunat e veriut është duke shkuar drejt normalizimit.

“Mund të them se situata është duke shkuar drejt normalizimit në katër komunat veriore, dhe vlerësoj se shumë shpejt do të kemi një situatë totalisht normale”, tha Sadiku.

Në anën tjetër njohësi i rrethanave politike Branislav Kërstiq thotë se ai sheh një zbatim të marrëveshjes në teren.

“Kemi zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, dhe dita ditës po e shohim atë…”, tha Kërstiq.

Në katër komunat veriore të Kosovës qytetarët serbë kanë mbledhur nënshkrimet për peticion për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë./21Media

Back to top button