“Është koha e duhur që dialogu të kalojë në nivel tjetër dhe Serbia ta njohë Kosovën”

“Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen.”, kështu është shprehur Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas arritje së marrëveshjes së sotme për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka potencuar se marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.
“Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit. Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka shtuar se tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njohë Republikën e Kosovës.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sot ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Borrell ka potencuar se Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre./21Media

Back to top button