EULEX-i nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë policore në veri të Kosovës
EULEX po ofron këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX ka thënë për RTV21 se nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë policore në veri të Kosovës.
Megjithatë, ka thënë se po ofron këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës në veri dhe në katër stacionet policore nën komandën e saj për një varg çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore.
“Këshilltarët e lartë të policisë së EULEX-it në Veri janë vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës në Rajonin Veri, dhe po ofrojnë këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Veri dhe në katër stacionet policore nën komandën e saj për një varg çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore. Po ashtu, këshilltari i EULEX-it i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Këshilltari i EULEX-it i Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Tutje EULEX-i në një përgjigje për RTV21 ka thënë se përveç kësaj, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it (NFP), e përbërë nga 105 policë polakë, ka shtuar patrullimet e saj në veri të Kosovës për të ngritur vetëdijen për situatën.
“NFP, që është e stacionuar në Mitrovicë, është përgjegjësi i dytë i sigurisë në Kosovë, duke qenë pjesë e një mekanizmi tre-shtresor të sigurisë, ku Policia e Kosovës është përgjegjësi i parë, EULEX-i i dyti dhe NATO/KFOR-i i treti. Si përgjegjësi i dytë i sigurisë në Kosovës, EULEX-i është në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in, përkatësisht përgjegjësin e parë dhe të tretë të sigurisë në Kosovë. Në rolin e tij si përgjegjësi i dytë i sigurisë, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it, NFP, do të angazhohet vetëm me kërkesë të Policisë së Kosovës”, ka thënë EULEX.
Mirëpo, EULEX-i ka thënë se mbetet vigjilent dhe po i monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet, për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit tonë dhe për të kontribuar në sigurinë e popullsisë së saj. Nëse është e nevojshme, Misioni mund të vendosë një njësi të formuar policore shtesë rezervë për të shtuar edhe më tej forcat e saj dhe kapacitetin operacional në terren”, ka thënë EULEX./21Media