Euro 2020, këto janë kombëtaret që rrezikojnë t’i thonë lamtumirë garës në fazën e grupeve

2 min read

 

Kampionati Evropian Euro 2020 sot vazhdon me ndeshjet e para të rrethit të tretë dhe të fundit sa i përket fazës së grupeve. Ndeshjet e para janë ato të Grupit A, ku sot ballafaqohen Zvicra me Turqinë si dhe Uellsi me Italinë. Që të dy këto ndeshje zhvillohen nga ora 18:00.

Nuk kanë munguar befasitë në shumë prej ndeshjeve të zhvilluara deri më tani dhe shumë skuadra që mbase janë konsideruar si favorite për të arritur deri në fazat finale të Euro 2020 tashmë çuditërisht janë duke rrezikuar që të eliminohen që në fazën e grupeve dhe do të luftojnë me të gjitha forcat që të shpëtojnë fatin e tyre në rrethin e fundit.

Më poshtë po rëndisim disa prej kombëtareve më të mëdha që rrezikojnë të mos e kalojnë fare fazën e grupeve.

Nga Grupi A në luftë për mbijetesë janë Turqia dhe Zvicra, të cilat në dy ndeshjet e para kanë grumbulluar vetëm një, përkatësisht zero pikë. Kjo është renditja: Italia 6 pikë, Uellsi 4, Zvicra 1 dhe Turqia 0.

Një kombëtare tjetër që konsiderohej si favorite në këtë eveniment është Kroacia, por e cila pas dy ndeshjeve të para ka mbledhur vetëm një pikë dhe si rezultat rrezikon të eliminohet në këtë fazë të hershme. Kroacia ndodhet në Grupin D, ku renditja duket si në vazhdim: Çekia 4 pikë, Anglia 4, Kroacia 1 dhe Skocia 1.

Befasia e madhe është duke ndodhur edhe në Grupin E ku është Spanja ajo e cila ka arkëtuar vetëm 2 pikë nga dy ndeshjet e para dhe renditet në vendin e tretë. Suedia është e para me 4 pikë, e ndjekur nga Sllovakia me 3, Spanja me dy dhe Polonia me një pikë.

Grupi F, i cilësuar që nga fillimi si grupi i vdekjes është një grup në të cilin ka paqartësi të mëdha dhe gjithçka do të mësohet vetëm në rrethin e fundit të ndeshjeve. Në këtë grup kryeson Franca me 4 pikë, e ndjekur nga Gjermania me 3, aq sa ka edhe Portugalia në vendin e tretë, kurse e fundit është Hungaria me vetëm një pikë.

Por, lajmi i mirë për të gjitha kombëtaret e lartpërmendura dhe jo vetëm është se ato të cilat renditen në pozitat e treta nëpër grupet e tyre do ta kenë një mundësi tjetër pasi do të jenë pjesë e një grupi prej gjashtë shteteve, nga të cilat katër më të mirat prej tyre do të vazhdojnë tutje në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Evropian.