Euro në Kroaci shoqërohet me rritje masive të çmimeve, Plenkoviq mban takime urgjente

Njerëzit në Kroaci po ankohen për rritje masive të çmimeve. Rrjetet sociale janë të mbushura me shembuj të ndryshëm të rritjeve të shumta të çmimeve pas futjes së euros, qoftë për dyqane, shërbime të ndryshme si parukeri apo tarifa parkimi, shkruan mediumi kroat Index.hr
Shumica e ankesave kanë të përbashkët se ka pasur “rrumbullaksim” me valutën e euros. Për shembull, nëse diçka kushton 13 kuna, është e mundur që dikush ta “rrumbullaksojë” atë në dy euro, që është dukshëm më shtrenjtë.
Lidhur me këtë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenoviqthirri një takim urgjent me tregtarët, përcjell portali rtv21.tv
Siç ka thënë kryeministri në një mesazh të publikuar në Twitter, ka thirrur një takim me ministra kompetentë dhe përfaqësues të Administratës Tatimore, Doganës dhe Inspektoratit Shtetëror lidhur me aktivitetet e mëtejshme për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve.
“Futja e euros nuk është arsye për të rritur çmimet e mallrave dhe shërbimeve”, tha Plenkoviq.
Në takimin e Plenkoviqit me ministrat dhe shefat e Administratës Tatimore, Doganës dhe Inspektoratit Shtetëror, u ra dakord që ministri i Ekonomisë Davor Filipoviq të ftojë në takim përfaqësues të zinxhirëve të shitjes me pakicë.
Filipoviq pas takimit tha se tregtarët po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Kjo nuk do të funksionojë për ta
“Me përfaqësuesit e rrjeteve të shitjes me pakicë kemi biseduar për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve dhe për shndërrimin e kunës në euro. Domethënë, inflacioni është 13.5 për qind. Kur e shikon atë strukturë, më së shumti ndikohet nga rritja e çmimeve për ushqimet dhe pijet joalkoolike”, tha ai.
“Zinxhirët e shitjes me pakicë po rrisin çmimet muaj pas muaji. Dhe tani në këtë situatë me euron, ata po i rrisin çmimet dhe po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Kjo nuk do t’u funksionojë. Iu thashë sot dhe po u them të gjithëve që duan ta përdorin konvertimin në kurriz të qytetarëve, nuk do të funksionojë”, shtoi ai./21Media

Back to top button