Familja Alidemaj përmballet me sëmundje e varfëri të skajshme

“Më mbyti shpina tu më djeg bre”.

Jeta për ta është veç se një mjerim. Gati 10 vjet janë bërë kur dy anëtarët e familjes Alidemaj po jetojnë në një kontejner, i cili nuk është vend as për të jetuar njeriu. Veç kushteve të rënda ekonomike, nënë e bir kanë edhe probleme mendore, çka po e vështirëson edhe më shumë jetesën e tyre në atë vend.

“Më mbyti shpina tu më djeg bre”… derisa rri e shtrirë në këtë vend të ftohtë po tregon për dhimbjet që po ia përshkojnë trupin.

Shikon në drejtim të derës, se kush po vjen të iu ndihmojë.

Në një dhomë flenë, përgatisin ushqim, e kryejnë nevoja të tjera. E ushqimin që po e sigurojnë me ndihmën sociale mujore, mund të jetë edhe i dëmshëm për ta.

Çdo cep i kësaj dhome ku kanë gjetur strehim, e ka mbuluar myku, derisa kundërmon edhe nga era e vjetërsisë dhe lagështisë së mureve.

“Kerkun hiç, nuk ki ku mu pastru.. po lypi me banu dikun”, thotë ajo.

Alidemaj e cila është mbi të 60-tat e ka vetëm një kërkesë.

“Kom nevojë me më ndihmu dikush me dal prej ktuhit”, shprehet Alidemaj.

Përveç ndihmës sociale, djali i saj thotë se nuk kanë të ardhura tjetër.

Në varfëri e gjendje të mjerueshme të dy këta po jetojnë si më keq. “Për banim ne jemi duke pritur, jemi duke pritur për banim”...

Të afërm të tyre thonë se dy anëtarët e familjes Alidemaj po jetojnë në gjendje të mjerueshme, duke shpresuar vetëm në shoqatat bamirëse për ndihmë.

Për këtë drejtori i Shërbimeve Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj thotë se nuk ka banesa të lira që mund t’i ofrojnë kësaj familje. Megjithatë, sipas tij, komuna është e gatshme që t’ia paguajë qiranë.

“Në shpalljen e fundit është bërë për 50 banesa sociale në Hajvali, kjo familje nuk ka arrit të marrë pikët e nevojshme që të pajiset me një banesë. Pra, për këtë arsyeje nuk është pajisur, nuk është që ne kemi banesa, dhe e kemi refuzuar. Mirëpo ne i kemi ofruar zgjidhje kësaj familje, duke iu ofruar mundësi që të ia paguajmë qiranë ne si komunë. Ndonëse kam pasur problem me disa familjarë të atyre, për shkak se nuk është që i kanë ecur dokumentacioneve ashtu siç kemi kërkuar”, thotë Kukaj.

Kukaj mes tjerash thotë për kp, se është takuar me familjarë të kësaj familje që kanë shprehur vullnetin që t’i ndihmojë kësaj familje.

Kontejneri në të cilin po jetojnë gati që një dekadë familja dy anëtarëshe është rreth 200 metra prapa Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kodrën e Trimave, pranë një çerdheje. E derisa gjendet një banesë për ta, dy anëtarët e familjes Alidemaj mbetën në mëshirën e fatit.

Back to top button