Familja Vitia kërkon ndihmë për shërimin e djalit

“Edhe në shkollë po thotë po më thojnë ti je fukara…”

Para dy vjetësh RTV21 solli rrëfimin e prekshëm të familjes treanëtarëshe të Hetem Vitisë nga komuna e Lipjanit, që vuante për kafshatën e gojës e për kulm mbi kokë. Ata kishin edhe tre muaj kohë që ta lironin banesën ku po qëndronin. I pyetur si do t’ia bëjnë tutje, zoti i shtëpisë tha “do të ngremë tendë sepse nuk kemi ku të shkojmë”. Përgjigja e tij kishte prekur qindra e mijëra qytetarë të Kosovës!

Por tash pas dy vjetësh, Hetem Vitija ka trokitur prapë në dyert e RTV21 për të kërkuar ndihmën nga njerëzit humanë. Djali i tyre, i cili tani ka 12 vjet ka nevojë për operim, meqë dhimbja e krahut po ia ndalon frymëmarrjen. Siç shpjegoi kryefamiljari për 21Media, ai sivjet ka braktisur edhe shkollën për shkak të bulizmit.

“E ka sëmundjen që e ka pasë në krah, po ngërhat. Edhe në shkollë po thotë po më thojnë ti je fukara.”, tha Vitija.

Ky nuk është halli i vetëm i familjes Vitija. Ata prapë kanë problem me banimin, tani jetojnë në një banesë në Lipjan, ku detyrohen të paguajnë 100 euro qera nga 95 euro që marrin nga sociali. Kështu që me paratë e socialit nuk po arrijnë të sigurojnë ushqim. Andaj tani familja kërkon nga bamirësit që t’i dalin në ndihmë edhe me gjëra ushqimore.

“I bëj apel së pari hoxhës Halil Kastratit, bamirësve kush e sheh këtë, kush ka mundësi me ndihmu Zoti ju shpërbleftë”, tha ai./21Media

Numri kontaktues i familjes Vitia: 044-852-326

Back to top button