Mes lotësh, familjari i viktimave në Pejë tregon se si arritën të nxjerrin trupat e pajetë

(Lajm i përditësuar)


Familjari i personave që humbën jetën në Pejë si pasojë e vërshimeve, Albert Ademaj ptregoi rastin me detaje si arritën t’i nxjerrin trupat e pajetë.

Axha i 5-vjeçarit që vdiq si pasojë e vërshimeve, tha se nuk ka hasën në ndihmën e institucioneve.

“Jemi të gjithë të shqetësuar, është tmerr, me vdek një nuse 26-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar, është katastrofë”, rrëfeu mes lotësh Ademaj.

Ademaj u shpreh se për t’i ndihmuar shkoi ekipi policor, porse, sipas tij, të njëjtit nuk ofruan ndihmë të mirëfilltë dhe as sjellje të duhur ndaj tyre.

Madje, sipas tij, në vendin e njëjtë që Policia deklaroi se gjurmoi dhe nuk hasi në gjetje, ai tha se pikërisht aty, arritën ta nxjerrin trupin e familjares.

“Jemi munduar t’i shpëtojmë, gruajen dhe djalin e vëllaut i ka tërhek një vrimë që e ka thyer murin. Jemi dalë t’i kërkojmë dhe pas një kohe e kemi gjet djalin e vëllaut në një shtepi më poshtë. Jemi munduar t’i japim ndihmën e parë, kemi thirr ambulantën, Policinë. Derisa e kemi pas djalin e vogël, askush nuk është ardhë hiç, as ambulanca e Policia, e kemi marrë vet dhe e kemi çu në spital, e aty nuk ka pas shenja për jetë, ka qenë i ngulfatur. Jemi kthy në shtëpi dhe kam pyet nëse kanë hallakat për nënën e djalit, më thanë po kemi shiku dhe kishin qenë dy policë. Njëri prej tyre tha kemi hallakat në podrum ku unë dyshojsha dhe nuk u binda pa hy vet. Hyra e kontrollova, hetova diçka, por nuk isha në dijeni nëse sigurt është ajo derisa e kam prek dhe e kam dallu që është trup i njeriut, gruaja vëllaut”, tha Ademaj për kp.

Ai akuzoi institucionet që nuk i dolën në ndihmë.

Derisa tregoi rastin, Ademaj tha se edhe trupin e pajetë e dërguan vetë në ambulantë.

“Veç Policia kanë qenë, më vonë është ardhë prokurorja e rastit edhe një shpëtimtar ka qenë. Një polic nuk është sjellë aspak mirë me do gjeste tmerr…Unë duke e nxjerrë gjenzën, ai thoshte mos e prek, leje aty. As nuk më ka ndihmuar, si qytetar të më ofrojë përkrahje më të mirë, por me atë sjelljen e “rrugaqit”. Me pas e kemi thirr ambulanten dhe më pas e kemi bajt me dorë, sepse rruga ka qenë e pakalueshme. Kemi shku poshtë dhe aty kemi menduar që është ardhë ambulanta, një kish qenë, por për një polic që është rrëzuar dhe ka thy krahun. I pyeta ku është ambulanta të çojmë për në spital, ndërsa përgjigjja e tyre ishte që nuk kanë qenë të informuar për këtë rast dhe nuk mundemi me marrë, sepse jemi ardhë për lëndim të krahut të një polici”, shtoi Ademaj.


Krasniqi: Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, nënë e bir, që humbën jetën mbrëmë në Pejë, si pasojë e vërshimeve.

Krasniqi tha se në një moment të rëndë si ky, me zemër e mendje, është pranë familjes së viktimave.

“Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç. Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë, derisa ka kërkuar të ofrohet mbështetje për tejkalimin e kësaj situate në Pejë.

“Vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë, për të cilët uroj shërim të shpejtë. Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate”, ka shtuar ai.

Krasniqi e ka ftuar edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e saj logjistike e materiale, në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e kësaj fatkeqësie.


Familjari i viktimave në Pejë: S’arritëm t’i nxjerrim të gjallë, mezi shpëtuam fëmijët e tjerë

Familjari i dy viktimave që humbën jetën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë, Milaim Ademaj rrëfeu momentin se si ndodhi ngjarja.

Gjyshi i nipit 5-vjeçar, Ademaj tha se pavarësisht mundimeve për shpëtim, nuk ia dolën t’i nxjerrin trupat e gjallë.

“Shi ka rënë, ka rrëshit një pjesë e kodrës, e ka nxënë jazin, u mbush te vëllau oborri plot ujë, del, deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda. Menzi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjëve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në podrum”, tha Ademaj.

I afërmi i viktimave, Haki Rama derisa e përshkroi ngjarjen, tha se pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, nuk arritëm të shpëtojnë gruan dhe djalin e saj.

“Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpijat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë. Pesë pare nuk i jepi për dëme, vetëm që janë hup gruaja me djalin… Ne të gjithë kemi vrapu t’i shpëtojmë, bile jam i sëmurë prej këmbës, gati uji më ka çu. Nuk kam mujt asgjë t’i ndihmojë. Vetëm shyqyr i kemi shpëtu një familje aty pranë, e kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ai ka qenë i palëvizshëm”, tregoi Rama.

Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur./kp


Lirohen nga spitali dy të lënduarit nga vërshimet në Pejë

Nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë pësuan tragjikisht një nënë me birin e saj, si dhe u lënduan dy persona të tjerë.

Drejtori mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Besnik Ibraj, për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se dy të lënduarit janë liruar për në shtëpi.

“Mbrëmë kemi pranuar dy pacientë në kujdesin intenziv, të njëjtit sot janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë Ibraj.


Muhaxheri: Jetët e humbura nuk mund të kthehen, tjerat rregullohen

Kryetari i Komunës së Pejes, Gazmend Muhaxheri deklaroi  se është tragjike rasti që ndodhi mbrëmë gjatë vërshimeve, ku si pasojë humbi jetën një nënë bashkë me fëmijën e saj 5-vjeçar.

Derisa tha se tanimë gjendja është e qetë, ai u shpreh se sasia e reshjeve të shiut të djeshëm nuk ndodhur që “ndoshta 50 vjet”.

“Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjera janë sende që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjave që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vite. Duhet t’i bëjëm sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë”, tha Muhaxheri për kp.

Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.


Kurti: Jemi të angazhuar me FSK-në për tejkalimin e pasojave të vërshimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë vdekja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve në Pejë është humbje tragjike për familjen dhe vendin. Ndërsa, ka treguar se janë angazhuar me FSK-në për tejkalimin e pasojave të vërshimeve.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë. Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai tutje ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.


Osmani: Humbja e dy qytetarëve në Pejë si pasojë e vërshimeve tronditje për gjithë Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjithë Kosova është tronditur me vdekjen e dy qytetarëve në Pejë të shtunën mbrëma si pasojë e vërshimeve.

Një nënë dhe fëmija i saj 5-vjeçar kanë humbur jetën në vërshimet e të shtunës në Pejë.

Presidentja Osmani në një postim në “Facebook” ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, ndërsa ka thënë se FSK-ja dhe gjithë ekipet e emergjencave gjenden në Pejë.

“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, ka shkruar Osmani.


Përparim Rama: Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë qytetarëve të Pejës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë të gatshëm që t’i ndihmojnë qytetarëve të Pejës pas vërshimeve të mëdha mbrëmë.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e nënës dhe fëmijës 5-vjeçar që vdiqën mbrëmë si pasojë e përmbytjeve.

“Jemi të gatshëm që me gjithë kapacitetet tona si Kryeqytet të dalim në ndihmë qytetarëve të Pejës. Ndihma jonë nuk do të mungojë që këto vërshime të kalojnë me sa më pak pasoja. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ademaj, të cilët humbën tragjikisht dy anëtarë të çmueshëm të tyre”, ka shkruar ai.


Abdixhiku pas vërshimeve në Pejë: Vdekja e gruas dhe fëmijës së saj është humbje e madhe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vdekjes së një gruaje dhe fëmijës së saj 5-vjeçar si pasojë e reshjeve të shiut në komunën e Pejës.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pas vërshimeve të shiut të cilat shkaktuan humbje jetësh e dëme të mëdha në disa lagje të Pejës”, është shprehur kryetari i LDK-së.

Abdixhiku shprehet se ngjarja tragjike e vdekjes së nënës dhe fëmijës së saj është humbje e madhe për familjen, për qytetin e Pejës si dhe për të gjithë ne.

“Prandaj në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës iu shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve, ndërsa të lënduarve tjerë shërim të shpejtë e të plotë. Në kohë të vështira si kjo nga fatkeqësitë natyrore të cilat dhe janë të paparishkueshme duhet të jemi solidarë dhe të përkrahim njëri-tjetrin”, shprehet ai.

“Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri së bashku me organet tjera lokale, janë duke i ndërrmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ndihmuar familjet e prekura në këtë kohë të vështirë. Solidariteti dhe bashkëpunimi janë thelbësore në momente të tilla për të ndihmuar bashkëqytetarët të ngrihen përsëri pas një fatkeqësie tragjike. Si kryetar i LDK-së, falënderoj të gjitha organet lokale, njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së si dhe të gjithë qyetarët për angazhimin e tyre për të tejkaluar këtë situatë. Po ashtu lus të gjithë të tregojnë kujdes të shtuar deri në menaxhimin e plotë të situatës. U bëj thirrje institucioneve qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror të iu dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet. Institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë”, ka deklaruar Abdixhiku.


Krasniqi pas vërshimeve në Pejë: Jam në koordinim me Sveçlën, Muhaxherin dhe Mehajn

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas tragjedisë së mbrëmshme në Pejë, ku për si pasojë e përmbytjeve vdiq një grua bashkë me fëmijën 5-vjeçar.

Ai tha se është i shqetësuar dhe i tronditur me këtë.

“I shqetësuar dhe tronditur me situatën e vërshimeve në Pejë, ku si pasojë e tyre humbën jetën dy qytetarë tanë, një fëmijë dhe nëna e tij”, ka shkruar Krasniqi.

Ministri bëri të ditur se është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxheri, ministrat Xhelal Sveçla dhe Armend Mehaj.

“Që nga fillimi i reshjeve mbrëmë jam në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me Kryetarin Muhaxheri, Ministrin Sveçla dhe Ministrin Mehaj, që ti dalim në ndihmë qytetarëve dhe Komunës në këtë situatë të vështirë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka ngullëshuar familjet e viktimave, derisa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.


Mehaj: Jemi në dispozicion me të gjitha kapacitetet në Pejë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se njësitë e Forcave të Sigurisë së Kosovës të kërkim-shpëtimit janë nisur për në qytetin e Pejës për të ndihmuar pas vërshimeve që kanë ndodhur të shtunën në këtë qytet.

Duke e konsideruar gjendjen të rëndë, Mehaj ka thënë se ministria të cilën e drejton është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e saj për ta tejkaluar situatën.

“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalë në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Si pasojë e vërshimeve në këtë komunë, një grua bashkë me fëmijën e saj 5-vjeçar kanë humbur jetën.


Haradinaj: Qeveria dhe Komuna e Pejës të veprojnë me vendosmëri e seriozitet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas situatës që është shkaktuar në Pejë si pasojë e vërshimeve të mëdha.

Ai iu ka bërë apel Komunës së Pejës dhe Qeverisë së Kosovës që të merren me këto zhvillime.

“I tronditur pas vërshimeve në Pejë, apeloj që qeveria, komuna dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, të veprojnë me vendosmëri e seriozitet. Bashkëndjej me familjen Ademaj që humbi familjarët. Bashkëndjej me të gjithë qytetarët që u dëmtuan nga vërshimet”, ka thënë Haradinaj.


Vdekja e dy personave në Pejë, Muhaxheri: Jam i tronditur, situatë e rëndë

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri u shpreh i tronditur me rastin tragjik që ndodhi në Pejë, ku dy persona humbën jetën si pasojë e vërshimeve të së shtunës.

Muhaxheri shprehu ngushëllime për vdekjen e nënës dhe të fëmijës.

Ai, situatën në Pejë e quajti të rëndë dhe të hidhur.

“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore”, shkroi Muhaxheri në Facebook.

Ai potencoi se ekipet janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.

Një grua dhe djali i saj, 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur./21Media

Back to top button