Faruk Ajeti ambasador i Kosovës në Gjermani

Faruk Ajeti u akreditua Ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani.
Ajeti ia ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke u akredituar kështu si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Gjermani, kështu ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Gjermani.
Ambasadori Ajeti gjatë ceremonisë akredituese u prit me nderime të larta shtetërore nga presidenti gjerman Steinmeier.
Sipas njoftimit, gjatë ceremonisë së akreditimit dhe audiencës Steinmeier i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Ajeti me rastin e fillimit të misionit diplomatik në Berlin, duke shprehur konsideratën e tij të lartë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe duke vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën dhe përkushtimin e saj ndaj perspektivës euro-atlantike.
Në një bisedë Steinmeier dhe Ajeti diskutuan mundësitë e thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, ekonomik dhe kulturor.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Ajeti i përcolli Presidentit Steinmeier përshëndetjet e përzemërta të Presidentes së Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani-Sadriu, duke ritheksuar raportet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve.
“Kosova dhe Gjermania kanë marrëdhënie speciale dhe do të kenë miqësi të përhershme. Gjermania mbetet për Republikën e Kosovës një partnere strategjike dhe aleat i dëshmuar historik i vendit dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Ajeti.
Ajeti ka diplomuar në Institutin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës me doktoraturë në “Politikat e Kosovës në Austri 1986-1999” dhe magjistraturën në Institutin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës.
Ambasadori Ajeti është ambasadori i katërt i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë./21Media

Back to top button