Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit sot 10 vjet

 

Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 27 shtator të vitit 2010. Dorëheqja e tij ka ardhur si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është konstatuar se Sejdiu ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e ka bërë publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference, me anë të së cilës i është drejtuar qytetarëve dhe opinionit.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur”, ka deklaruar Sejdiu.

Presidenti i dorëhequr, Sejdiu ka theksuar se ka mbajtur postin e kryetarit të LDK-së me funksione të ngrira i bindur se kjo nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës.

Sidoqoftë, ai është shprehur se vendimin për dorëheqje e ka marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës.

Para se të publikonte vendimin për dorëheqje, Sejdiu ka zhvilluar takime të mbyllura me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit.

Më pas, Sejdiu i ka komunikuar vendimin edhe kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryesia e LDK-së, pak më vonë ka dalë me një komunikatë me shkrim, me të cilën ka përshëndetur vendimin e Sejdiut, duke e çmuar atë si akt të lart moral.

Që nga zgjedhja në postin e presidentit, shumë nga analistët, mediat dhe deputetët kanë rikujtuar Sejdiun se po shkelte Kushtetutën me mbajtjen e postit të kryetarit të LDK-së.

Por, nismën zyrtare për të proceduar këtë rast te Gjykata Kushtetuese e ka marrë deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, i cili beson se jo vetëm Sejdiu, por përgjegjës për këtë shkelje ishte edhe partneri i tij në koalicion, Hashim Thaçi dhe i gjithë koalicioni i atëhershëm, pasi që, sipas tij, kanë ndërtuar një marrëveshje qeverisëse duke mos e respektuar Kushtetutën.

Back to top button