Dëshira e 11 vjeçarit, të shkojë në shkollë, nëna druan, personat me nevoja të veçanta s’mund t’iu përmbahen protokolleve

 

Personat me nevoja të posaçme do të ulen në bankat shkollore. Ky është vendimi i fundit, të cilin e miratoi Qeveria me propozim të komisionit për sëmundje ngjitëse. Shkolla që do të hapë dyert për të gjithë nxënësit është edhe shkolla e veçantë fillore Idnina në Shkup.

Prindërit do të munden të zgjedhin edhe mësimin online. Për shkak të frikës me pandeminë nëna e 11 vjeçarit Fisnik Fera zgjodhi mësimin online, edhe pse dëshira e vetme e Fisnikut është të ndjekë mësimin në shkollë.

“Unë më mirë për veten e kam të shkoj në shkollë. Më mirë e kam edhe më lehtë. Çfarë duhet të bëj online me fol. Jo. S’dua ashtu”, tha Fisnik Fera.

Por, nëna e tij, Emine Fera tha se djalin nuk mund ta çojë në shkollë përshkak se ka nevojë për ta shoqëruar dikush e ajo ka dy fëmijë të tjerë në shtëpi të cilët mësimin do ta ndjekin online. Ajo shtoi se fëmijët me nevoja të veçanta e kanë vështirë tu përmbahet protokolleve.

“Maskat vështirë e kanë t’i mbajnë, nuk i praktikojnë rregullat që duhet edhe për atë kemi vendos online”, u shpreh Emine Fera.

Ajo tha se shumë pak ka mundur t’ia përcjellë mësimet dhe ta adaptojë Fisnikun për të mësuar online.

“Nuk kemi mundur t’i zëvendësojmë me orët. Si çdo fëmijë më shumë përkushtohet kur është mësuesja se sa nënës. Pasi te nëna ka tolerime. Nuk besoj se mund të arrihet efekti dhe nivelin që mund të arrijë te shkolla”, theksoi Emine Fera.

Për të angazhuar Fisnikun, nëna Eminja e shëtit në park dhe bën sportin e tij të preferuar boksin. Çdo ditë paguan terapi fizikale pasi ato shtetërore janë mbyllur për disa muaj, raporton TV21./21Media

Back to top button