Federata e Ragbit të Kosovës organizoi kampin përgatitor në Istog

Federata e Ragbit të Kosovës mblodhi lojtarët e ragbit nga të gjitha ekipet e vendit në kampin përgatitor të kombëtarës së Kosovës.
Ky kamp përgatitor vjen si rrjedhojë e pranimit të Kosovës në arenën ndërkombërare dhe garimit për herë të parë në histori.
Në kushte optimale për ushtrime, skuadra qëndroi në Istog për 3 ditë ku i zhvilloi ushtrimet në Stadiumin “Demush Mavraj” të cilin u ofroi Komuna e Istogut.
Përpos 20 lojtarëve vendas, në këtë kamp morën pjesë edhe 2 lojtarë të tjerë të cilët luajnë jashtë vendit, respektivisht në Francë dhe në Zvicër.
Në këtë kamp 3 ditor, fokusi i trajnerëve dhe lojtarëve ishte në përgatitjen fizike, strategjike, taktike dhe përmbajtësore të lojërave në muajin e ardhshëm në kuadër të Conference 2.
“Ky kamp stërvitor na ka dhënë mundësinë për të forcuar kohezionin dhe etikën e skuadrës si brenda dhe jashtë fushës. Përmirësimi i lojtarëve ka qenë i shkëlqyer për t’u parë dhe unë jam shumë krenar për përpjekjet dhe përkushtimin e tyre në dëshirën për të përfaqësuar vendin e tyre në mënyrën më të mirë brenda aftësive të tyre”, ka thënë trajneri Mark Barrett
Turneu Conference 2 i Rugby Europe 7s do të mbahet Maltë, në stadiumin Hibernians më 11 dhe 12 qershor, ku Kosova që do të përballet me pesë vende tjera në rrugëtimin për t’u ngjitur në shkallët e Rugby Europe.
Kosova do të përballet me Maltën, Slloveninë, Sllovakinë, San Marinon dhe Estoninë teksa kërkojnë promovimin në Conference 1 të Rugby Europe – niveli i tretë i ragbit evropian. Secila prej skuadrave do të luajë kundër njëra-tjetrës, përpara se të kalojë në një strukturë play-off e cila do të përcaktojë se cili vend do të arrijë promovimin./21Media

Back to top button