Fëmijët e Rinasit i bashkohen prindërve në protestë

Të ulur në mes të rrugës dhe me thirrjet “hapni rrugën” fëmijët protestuan në mbështetje të prindërve të tyre për të kërkuar rikthimin e rrugës drejt Rinasit me dy kalime.
Prej ditësh nuk shkojnë në shkollë pasi thonë se janë të rrezikuar nga automjetet që kalojnë me shpejtësi.
“Edhe dje isha duke kaluar me motrën një makinë që ecte me 150 km/orë na kaloi tek këmbët. Tërhoqa motrën nga vetja”, tregon një fëmijë.
Në tubimin e djeshëm, Autoriteti Rrugor Shqiptar u premtoi se aksi do të kthehej me dy sense, por fjala e dhënë nuk u mbajt. Ndaj edhe një herë bën thirrje për kthimin e jetës së tyre në normalitet.
Për shkak të bllokimit të rrugës, trafiku u rëndua edhe pse u tha se kishte edhe një rrugë alternative.
Ndërsa nën panikun e nisjes së avionit, udhëtarët lanë mjetet dhe u nisën në këmbë drejt aeroportit.
Ndryshe nga protestat e dy radhëve më parë nuk kishte përplasje me policinë. Prindërit këtë radhë janë detyruar të ecin pas fëmijëve të tyre që marshuan në këmbë drejt shkollës.
Janë dashur vetëm pak minuta që të mbërrinin pranë klasës së tyre, por që me sistemin e ri duhet të bëjnë rrugë të gjatë.
Marshimi nuk ndali në shkollë por vazhdoi edhe më tej, ndërsa shprehen se nëse ARRSH nuk do të ndryshojë qëndrim as ata nuk do të ndalen nga protesta./oranews

Back to top button