Fëmijët me fotografi të Osmani dhe Konjufcës, reagon zyra e kryekuvendarit

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, ka reaguar pas publikimit të fotografisë të disa nxënësve në hollin e Kuvendit, të cilët mbajnë në duar fotografitë e kryeparlamentarit dhe Presidentes Vjosa Osmani.
Sipas tij, vizita e nxënësve në Kuvend është një praktikë e moçme, por ai thotë se zyra e Kryeparlamentarit është kundër praktikës që fëmijët të mbajnë në duar fotografi të figurave politike.
Ai tutje ka shprehur keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë e tyre.
“Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike. Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjes mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka shkruar Kërçeli në Facebok./21Media
Back to top button