Festoi ditëlindjen e 110-të, tregon sekretin e jetëgjatësisë

 
Teksa festonte ditëlindjen e saj të 110-të, Mary Keir tha se sekreti i një jete të gjatë ishte të qëndronte e angazhuar dhe të punonte në kopsht.

Besohet se është gruaja më e vjetër e Uellsit, Keir u lind vetëm disa javë para udhëtimit katastrofik të Titanikut, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Një festë u mbajt për të në “Awel Tywi” shtëpi kujdesi në Llandeilo, Carmarthenshire, ku ajo ka jetuar për 10 vitet e fundit.
Nxënësit e “Ysgol Gynradd Ffairfach” e argëtuan atë me vallëzime popullore jashtë ndërsa ajo shikonte nga salla e pritjes.
Keir u lind më 3 mars 1912 në St.Davids, Pembrokeshire. Babai i saj ishte një endës batanije. Ajo kujton një jetë të qetë, të ngjashme me fshatin në qytetin më të vogël të Britanisë së Madhe.

Pasioni i Keir ishte muzika dhe asaj i pëlqente të luante piano, kështu që babai i saj kursente për të blerë një të dorës së dytë.

Një mjeke e Cardiff-it, e cila kishte një vilë në St.Davids, i sugjeroi asaj që të trajnohej si infermiere.

Në moshën 21-vjeçare ajo u transferua në Cardiff për të punuar në Spitalin Llandough.

“Mendova, ‘ja ku është shansi im për t’u larguar’”, tha ajo.

“Nuk kishte asgjë për mua në fshat”.

Ajo beson se çelësi i jetës së saj të gjatë ishte qëndrimi e angazhuar: “Gjithmonë kam dashur të bëj diçka. Ne kishim një kopsht në Llansteffan dhe më pëlqente kopshtaria. Më pëlqente të rritja gjëra”.

Pasi takoi bashkëshortin Douglas, ajo u transferua në Llansteffan, Carmarthenshire, për të punuar si infermiere në komunitet.

Në moshën 40-vjeçare, ajo lindi djalin e saj Robertin, i cili tha se nëna e tij “nuk ka qenë kurrë pijanece apo duhanpirëse”./21Media

Back to top button