Filloi hartimi i projektit për promovimin e Lokalitetit Arkeologjik në qendër të Prizrenit

Ka filluar hartimi i projektit për prezantimin, interpretimin dhe promovimin e Lokalitetit Arkeologjik në qendër të Prizrenit!
Kështu është bërë e ditur Ministria e Kulturës, ku ka treguar se ky projekt realizohet në bashkëpunim me UN Habitat Kosovë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar gjatë vitit 2021 dhe synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbër.
”Në procesin e hartimit të projektit do të përfshihen banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët.
Përmes prezantimit, interpretimit dhe promovimit të Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synojmë që të ngritet vetëdija për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojmë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. Procesi i hartimit të projektit është duke u zhvilluar nga një grup punues i përbërë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Departamenti për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Projekti financohet nga Ministria e Kulturës dhe mbështetet nga UN Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë./21Media

Back to top button