Filloi hartimi i projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

 

Ka filluar puna për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Me ç’rast, sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke theksuar nevojën e domosdoshme për hartimin e këtij projektligji, theksoi se tashmë jemi vonuar në drejtim të kompletimit të pakos ligjore kundër korrupsionit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas Ministres së Drejtësisë, ky rregullim nuk ka treguar apo dëshmuar sukses në luftimin e pasurimit të paligjshëm pasi që aktualisht me legjislacionin në fuqi në çdo rast kushtëzohet konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes aktivitetit kriminal me zhvillimin e procedurës penale që ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale, gjë që paraqet pengesë juridike që krimi i organizuar të luftohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në takim, është bërë prezantimi i planit të punës nga Isuf Jahmurataj – Kryesues i Grupit Punues, i cili pritet të përfundohet brenda vitit.

Në anën tjetër të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, fillimisht u deklaruan për nevojën e bashkëpunimit dhe konsultimit për disa çështje kryesore si: organin kompetent për konfiskim, fushëveprimin e ligjit e të tjerë, si dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë.

Në fund të takimit, anëtarët e Grupit Punues, u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të hartohet ky projektligj.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar. Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro. / 21Media

Back to top button