Fillon seanca për votimin e Ushtrisë së Kosovës
Ditë historike për Kosovën
Ka nisur seanca Plenare, në të cilën pritet të votohen projektligjet që i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës.
Në hapje të seancës parlamentare për formimin e Ushtrisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka ftuar të gjithë pranishmit për një minutë nderim për të gjithë brezat, që në kohë e rrethana të ndryshme sakrifikuan për këtë ditë.
“Le të nderojmë luftëtarët e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të periudhave të ndryshme. Le të nderojmë gjeneratat e të burgosurve politikë. Studentët e lëvizjeve studentore. Intelektualët dhe minatorët e Kosovës. Bashkatdhetarët tanë kudo në botë. Veprimtarët politikë të rezistencës paqësore. Djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmorët e lirisë. Ne sot qëndrojmë këtu falë kësaj sakrifice mbinjerëzore. Krenarë me të kaluarën dhe të sigurt për të ardhmen tonë euro-atlantike”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli në hapje të seancës ku po votohet Ushtria e Kosovës.
Në sallë të pranishëm janë 107 deputetë.
Në këtë seancë do të votohen tri projektligje:
1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes,
2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës./21Media