Filmi “Titanik” sërish në kinema
Ndërkohë që filmi i ri i James Cameron “Avatar: The Way of Water” vazhdon të dominojë në Box Office-n global, filmi tjetër i tij, “Titanic”, i vitit 1997, planifikohet që sërish të shfaqet në kinema.
Fansat, këtë film fitues të Oskarit do ta shohin në ekranin e madh me rastin e shënimit të 25 vjetorit të lansimit të tij.
Paramount do ta lansojë filmin në HD dhe 3D, filluar nga data 10 shkurt 2023.
Në filmin “Titanic” me rol paraqitet aktori Leonardo DiCaprio në rolin e Jack Dawson. Ai është një artist i ri i cili takohet me aristokraten Rose Dewitt Bukater, rolin e të cilës e luan aktorja Kate Winslet.
Filmi “Titanic” u bë fenomen në Box Office, me fitim të mbi 2.19 miliard dollarëve në botë. Ai radhitet i treti në boks office pas filmit “Avatar” të vitit 2009, i cili ka fituar 2.92 miliard dollarë, dhe pas “Avengers: Endgame” të vitit 2019, që ka ftuar $2.79 miliard.
Ky film u shfaq në kinematë amerikane për 10 muaj radhazi. Ai kryesoi për 15 javë radhazi në krye të Box Office, duke u bërë kështu filmi më fitimprurës i të gjitha kohërave, derisa këtë pozitë e zuri filmi “Avatar”.
Anija Titanic, bazuar në të cilën Cameron realizoi filmin, u fundos me 15 prill 1912 në Oqeanin Atlantik. Ajo u fundos pasi që u godit në iceberg.
Sipas raporteve, në të kanë vdekur më shumë se 1500 udhëtarë, nga 2, 200 sa ishin në total./21Media