Finalizohet marrëveshja për heqjen e taksave ndërmjet Kosovës dhe Maltës

Pacolli priti në takim Carmelo Abela

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli sot në takim priti delegacionin shtetëror të Maltës, Carmelo Abela.

Gjatë këtij takimi u diskutua për interesat e përbashkëta të dy venedeve.

“Dy vendet tona gëzojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe një miqësi të fortë.Malta vazhdon të qëndrojë përkrah Kosovës në udhëtimin tonë evropian, duke qenë ndër shtetet më mbështetëse në BE, si për liberalizim të vizave ashtu dhe integrimin e Kosovës në BE. Ka qenë dhe vazhdon të jetë e zëshme në mbështetje të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare dhe është zëri ynë edhe aty ku ne nuk mund të jemi ende”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ndër të tjera në këtë takim sipas Pacollit, është finalizuar edhe marrëveshja dypalëshe për Eliminimin e Taksave të Dyfishta.

Në fund Pacolli bëri të ditur se Kosova është shumë krenare dhe mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me Maltën dhe popullin e saj.

Gjatë ditës së sotme, Carmelo Abela u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilët biseduan për zhvillimet politike dhe progresin e arritur në Kosovë, prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimet evropiane, si dhe fuqizimin në rend dhe ligj.

Haradinaj me këtë rast, tha se Malta është njëra nga vendet mike të Kosovës, duke zhvilluar gjithmonë raporte korrekte me këtë vend dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë meqenëse Kosova është e përkushtuar që të avancojë me raportet e ndërsjella në të gjitha fushat. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, të Maltës, Carmelo Abela, tha se Malta do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe qëndrimin e shtetit të tij për fuqizimin e partneritetit ekonomik, tregtar dhe kulturor.


gjatë vizitës së tij në Kosovë, Abela është takuar edhe me kryeparlamentarin Veseli, të cilët biseduan për raportet e mira që të dyja vendet kanë ndërtuar midis tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të gjitha nivelet. /21Media 

Back to top button