Forcat Ajrore të Ukrainës s’kanë mbrojtje kundër raketave balistike të Iranit

Forca Ajrore e Ukrainës tha të martën se aktualisht nuk ka mbrojtje efektive kundër llojeve të raketave balistike që Irani po përgatitet t’i dërgojë Rusisë për t’i përdorur në luftën e tij kundër Ukrainës.
Yuriy Ihnat, zëdhënës i Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës, tha se diapazoni i raketave balistike iraniane që po furnizohen, me “njëra me rreze veprimi prej 300 km tjetra 700 km”, do t’i lejojë forcat ruse të godasin kudo brenda Ukrainës.
Më herët të martën, u raportua se Irani po përgatitet të dërgojë rreth 1000 armë shtesë, duke përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe më shumë drone sulmuese për Rusinë për t’i përdorur kundër Ukrainës.
I pyetur nëse Forcat e Armatosura të Ukrainës ishin të gatshme të mbroheshin kundër këtyre llojeve të raketave balistike iraniane, Ihnat u përgjigj se ata “do të marrin të gjitha masat dhe mjetet e mbrojtjes kundër këtyre raketave”.
Megjithatë, Ihnat paralajmëroi se “aktualisht nuk kemi mbrojtje efektive kundër këtyre raketave. Teorikisht është e mundur që t’i rrëzojmë, por është shumë e vështirë ta bëjmë këtë me mjetet që kemi aktualisht”./21Media

Back to top button