Franca i thotë NATO-s të mos ketë frikë nga planet e mbrojtjes në BE

Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly, u tha homologëve të saj të NATO -s që të mos kenë frikë nga planet e Bashkimit Evropian për zhvillim e projektit të mbrojtjes.
Ajo tha se një projekt i tillë do ta forcojë aleancën e NATO-s dhe se nga ai do të përfitojnë edhe Shtetet e Bashkuara.
Komentet e saj, të bëra gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, synojnë t’i japin fund pasigurisë brenda NATO-s.
Ka pasur shqetësime se përpjekja e BE-së për të zhvilluar projektin e saj të mbrojtjes do të ishte një konkurrencë e NATO-s.
“Kur dëgjoj disa deklarata për mbrojtjen evropiane duke përfshirë edhe brenda kësaj organizate, u them: mos kini frikë”, tha Parly.
“Mbrojtja evropiane nuk po ndërtohet në kundërshtim me NATO-n, përkundrazi: një Evropë më e fortë do të kontribuojë në një aleancë më të fuqishme”, shtoi ajo.
Ministrja franceze i bëri jehonë një deklarate të lëshuar pas një takimi të presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij francez, Emmanuel Macron në shtator dhe në të cilin thuhej se ata e “njohin rëndësinë e një mbrojtjeje më të fuqishme dhe më të aftë evropiane, që kontribuon pozitivisht në sigurinë transatlantike dhe globale”.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, 21 janë anëtarë të NATO-s.
NATO-ja ka 30 vende anëtare, por Shtetet e Bashkuara kanë thënë prej kohësh se blloku evropian duhet të bëjë më shumë për të menaxhuar krizat në kufijtë e tij.
Në mars të vitit të ardhshëm, BE-ja synon të bjerë dakord për një dokument strategjik ushtarak për të përcaktuar kërcënimet e ardhshme, duke u fokusuar në zhvillimin e armëve së bashku, si dhe duke paraparë krijimin e një force të re ushtarake të BE-së e cila do të ndërhynte në kriza.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha agjencisë Reuters muajin e kaluar se ai mbështet planet e Bashkimit Evropian për të ndërtuar një politikë të përbashkët të mbrojtjes, por ai paralajmëroi kundër çdo force reagimi të shpejtë që mund të detyronte aleatët të NATO-s të dyfishojnë operacionet./21Media

Back to top button