Frikë, pasiguri dhe mungesë furnizimesh në veri

Qytetarët në pjesën veriore të Kosovës kanë nisur të përballen me mungesa barnash, furnizimesh të përditshme e parash në bankomate.
Për më tepër, janë të shqetësuar edhe për situatën e sigurisë, e cila, siç thonë, mund të përshkallëzojë në përleshje të armatosura.
Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, grupe qytetarësh kanë bllokuar rrugët kryesore qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.
Barrikadat janë ngritur në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, e që shpesh shfrytëzohen nga banorët e asaj ane për furnizime dhe vizita – qoftë mjekësore apo të tjera.
“Shkollat nuk punojnë, gjithçka është e mbyllur. Ushqimi është gjithnjë e më i paktë nëpër shitore. Nuk ka para në llogaritë që njerëzit i kanë në bankat serbe. Ka disa ditë që paratë nuk arrijnë në bankomate, sepse nuk mund të sillen përmes rrugëve alternative, ndërsa përmes vendkalimeve [kufitare] është e ndaluar të sillen. Të gjitha këto e vështirësojnë jetën”, thotë për Radion Evropa e Lirë publicisti serb, Dejan Nedelkoviq, i cili jeton në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Sipas tij, disa banorë i kanë dërguar fëmijët e tyre në Serbi, ndërsa në veri “kanë mbetur ata që nuk kanë ku të shkojnë”.
Situatën, ngjashëm e përshkruan edhe Verolub Petroniq, nga organizata joqeveritare Qendra Humane në Mitrovicë të Veriut. Ai thotë se më e keqja me të cilën po përballen qytetarët, është frika.
“Janë disa lloje frikash. Së pari, është frika lidhur me sigurinë. Së dyti, është frika lidhur me shëndetin, sepse dalëngadalë ka nisur mungesa e barnave. Barnatoret, shitoret, herë punojnë e herë jo. Ende ka furnizime, por pakësimi i sasive të tyre nëpër shitore është evident, ndërsa është evidente edhe ngritja e çmimeve. Disa tregtarë i kanë mbyllur fare. Kafenetë nuk punojnë, me siguri disa për shkak të frikës e disa me urdhër”, thotë Petroniq.
Të gjitha vështirësitë me të cilat përballen qytetarët në veri të Kosovës, janë produkt i barrikadave që kanë bllokuar qarkullimin e lirë nëpër katër komunat e veriut mes vete – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq – si dhe drejt vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, thotë Aleksandar Jabllanoviq, udhëheqës i Partisë së Serbëve të Kosovës.
Për vendosjen e barrikadave, ai fajëson Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Sipas tij, Lista Serbe i shantazhon qytetarët serbë për të qëndruar në barrikada.
Ai thotë se shumë prej tyre varen nga puna në institucionet publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që kontrollohen kryesisht nga Lista Serbe.
“Për këtë arsye, ekzistojnë grupe në Viber, ku u bëhet thirrje, u bëhet presion njerëzve nga drejtorë të drejtorive të ndryshme, të cilët u thonë: ‘duhet të vini dhe nëse nuk vini, duhet ta arsyetoni këtë’, ose ‘nëse nuk vini dhe nuk e arsyetoni, do të keni pasoja’. Prandaj, njerëzit frikësohen, sepse nuk ekziston sistem i drejtësisë që mund t’i mbrojë”, thotë Jabllanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se, sipas informacioneve që ka, disa qytetarë serbë tashmë kanë nisur të refuzojnë të dalin pranë barrikadave. Kështu thotë edhe Nedelkoviq.
“Siç më kanë thënë miqtë e mi që janë atje në barrikada, në Zubin Potok, një numër i madh i njerëzve që punojnë në arsim dhe shëndetësi, refuzojnë të shkojnë në barrikada, sepse askush, në përgjithësi, nuk e sheh qëllimin”, thotë Nedelkoviq./REL

Back to top button