FSK e gatshme të marrë pjesë në çdo mision të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka mbajtur një takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Kirsten Gillibrand dhe Mike Rounds, të cilëve ua shprehu gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje nëpër misionet e NATO-s.
“Jemi të angazhuar maksimalisht që si shtet të të ruajmë paqen dhe stabilitetin, të ofrojmë mbrojtje dhe siguri, andaj i njoftova dhe për buxhetin që është ndarë në këtë drejtim, për avancimet e Ushtrisë së Republikës së Kosovës sa i përket implementimit të Planit të Tranzicionit, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale përmes bashkëpunimit të pandërprerë me shtetet aleate në trajnime e misione të përbashkëta”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Tutje Mehaj, ka bërë të ditur se Kosova shpreh gatishmëri për strehimin e ukrainasve, si dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas nga ana e FSK-së.

“Strehimi, sigurimi i transportit për refugjatët afganë, gatishmëria jonë për të strehuar refugjatë ukrainas, dhe për të trajnuar ushtarakët ukrainas në fushën e deminimit dhe kërkim-shpëtimit si dhe gatishmëria e FSK-së për të marrë pjesë në çdo mision tjetër të NATO-s, ishin disa nga çështjet të cilat u vlerësuan nga ana e senatorëve si hapa të rëndësishëm të një shteti që përqafon vlerat evropiane dhe aspiron anëtarësimin në NATO dhe BE”, thuhet ndër të tjera në postimin e ministrit të Mbrojtjes./21Media

Back to top button