FSK fitoi medaljen e argjendtë në Mbretërinë e Bashkuar

Në konkurrencë me mbi njëqind ekipe të forcave të shteteve të ndryshme të botës, njësiti i FSK-së zuri vendin e dytë dhe fitoi medaljen e argjendtë në ushtrimin prestigjioz ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2021” në Mbretërinë e Bashkuar.
Siç ka informuar sot Ministria e Mbrojtjes, në ceremoninë e ndarjes së medaljeve ishte edhe atasheu ynë i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, nënkolonel Beton Retkoceri dhe këshilltari i KOMFSK-së, nënkoloneli britanik, Martin Browning.
“Ky ushtrim këtë herë ka përfshirë kalimin e distancës rreth 60 kilometra, ku secili pjesëtar bartë 35 kilogram peshë dhe gjatë tërë kohës vlerësohen në shkathtësitë e luftimit të afërt, ndihmën e parë, identifikimin e armëve, automjeteve, minave, materieve të rrezikshme etj.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ky ushtrim sfidues organizohet për çdo vit ne Uells të Mbretërisë së Bashkuar ku marrin pjesë njësitet më të mira nga ushtria britanike nga shumë vende të tjera.
Kjo është hera e katërt që pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë duke arritur këtë sukses të jashtëzakonshëm.
Gara ndërkombëtare “Cambrian Patrol” njëherazi është ushtrim i fokusuar në mision dhe i bazuar në skenar./21Media

Back to top button