Furnizonin autobusët me naftë të kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut, arrestohen tre persona

Policia e Dibrës ka arrestuar tre persona për kontrabandë nafte nga Maqedonia e Veriut.
Të dyshuarit A.C, I.M dhe A.L përkatësisht administrator i një kompanie transporti publik, menaxher dhe shofer.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas kishin instaluar dy serbatorë për naftë në një automjet në përdorim të këtij subjekti dhe në mënyrë të vazhdueshme e sistematike merrnin lëndë djegëse (gazoil), në Dibër të Madhe dhe më pas e depozitonin në një depozitë nafte në afërsi të ambienteve tregtare të subjektit të tyre.
Ky subjekt duke qënë se disponon mjete të transportit të udhëtarëve nëpërmjet kësaj skeme dyshohet se kryenin kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe evazion fiskal duke shmangur detyrimet doganore të hidrokarbureve nga pika e kalimit kufitar, Bllatë ku më pas u furnizonin mjetet e transportit, shkruan oranews.
Si rezultat i veprimeve hetimore  si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e magazinës së këtij subjekti u gjet një depozitë e mbushur me lëndë djegëse (gazoil)  në sasinë rreth 800 litra e dyshuar se është grumbulluar  nga veprimtaria kriminale e kontrabandës së kryer nga personat e mësipërm.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ambienteve të subjektit janë konstatuar dhe sekuestruar 10 aparate transmetimi sinjali televiziv(Android Tv), 13 router interneti, kuti medikamentesh, artikuj të ndryshme kancelarie, pa dokumentacionin shoqërues, si dhe automjeti  në të cilin ishin të instaluar dy serbatorë të mbushura me naftë gjithsej 145 litra.
Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për  veprat penale ”Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, ”Kontrabanda me mallra të tjera”,  ”Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, ”Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, ”Fshehja e të ardhurave”./21Media

Back to top button