Gërvalla: Eurodeputetët me kërkesë të qartë, pasoja për agresionin e Vuçiqit

(Lajm i përditësuar)

Gërvalla: Eurodeputetët me kërkesë të qartë, pasoja për agresionin e Vuçiqit

Pas mbledhjes së eurodeputetëve në Parlamentin Evropian të martën ku kanë diskutuar për situatën në veri të Kosovës, është deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Përmes një postimi në platformën X, Gërvalla-Schwarz ka thënë se ishte dëshmitare e një debati të fuqishëm, ku kërkesat ishin të qarta – pasoja për agresionin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“E inkurajuar nga takimet e shkëlqyera me anëtarët e PE-së sot në Strasburg. Isha dëshmitare e një debati të fuqishëm në Parlamentin Evropian për agresionin e Vuçiqit, me dënim të fortë dhe kërkesa të qarta: Duhet të ketë pasoja”, ka shkruar ajo.

Tutje Gërvalla u ka bërë thirrje anëtarëve të Bashkimit Evropian që të ndalojë rrugën e Vuçiqit drejt konfliktit.


Në Parlamentin Evropian kërkohet sanksionimi i Serbisë për dhunën në Kosovë

Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërko masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.


Tineke Strik: Me vite kemi lejuar në heshtje Vuçiqin ta minojë stabilitetin në rajon

Eurodeputetja holandese Tineke Strik, ka thënë se ishte shokuar me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur në një sulm terrorist të kryer nga një grup i serbëve të armatosur u vra polici Afrim Bunjaku e u lënduan tre policë tjerë.

Strik ka thënë se ndonëse ishte e shokuar, nuk ishte e befasuar.

“Pasi këtu të çon strategjia e kënaqjes të cilin e aplikon Bashkimi Evropian. Me vite ne në heshtje kemi lejuar Vuçiqin ta minojë stabilitetin në rajon, të mbetet përkrahës i Kremlinit, t’i shkatërrojë të drejtat e minoriteteve në vendin e vetë. Ne e trajtojmë atë si mik, duke e nxitur të shkojë edhe më larg. Këtë bëjnë autokratët kur kanë mosndëshkueshmëri. Është dashur ta mësojmë mësimin me Putinin. Pas ngjarjeve të fundit, është koha që liderët e BE-së të zgjohen. Situata e sigurisë në Ballkan është mjaft e rrezikshme. Duhet të veprojmë tash që të mbrojmë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Strik.

E eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ka bërë thirrje për t’u marrë masa ndaj Serbisë.


Komisioneri evropian: Shqetësuese retorika e Beogradit dhe shpallja e zisë

Komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, ka përsëritur se kryesit e sulmit në Banjskë “gjithsesi duhet të vihen para drejtësisë” dhe se sulmi nuk duhet të përdoret si arsyetim për shmangie të vëmendjes nga dialogu Kosovë-Serbi.

Ai e ka quajtur të paprecedentë sulmin e kryesuar nga Milan Radoiçiq ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Siç ka thënë Lenarçiq, sasia masive e armëve që u konfiskuan ngreh shqetësime serioze.

“Ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është ekstremisht serioze”.

Lenarçiq në Parlamentin Evropian ku po diskutohet rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe dialogun, ka deklaruar se Bashkimi Evropian pret prej Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht.

Ndërkaq, shqetësuese e ka theksuar edhe retorikën e Beogradit.

Back to top button