Gërvalla në Slloveni: BE-ja duhet ta ndalë ‘mini-shengenin’, i rrezikshëm për paqen në Ballkan

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla sot mori pjesë në diskutimin jo formal mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u mbajt në Brdo Pri Kranju të Sllovenisë, ku tha se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket  menaxhimit të pandemisë.
Siç informoi ministria, Gërvalla theksoi ndihmën e jashtëzakonshme në këtë drejtim të BE-së, vendeve anëtare të saj, por edhe të vendeve jashtë BE-së si Norvegjia dhe SHBA-të.
Teksa foli për bashkëpunimin rajonal, sipas komunikatë, Gërvalla u ndal te ideja e tregut të përbashkët rajonal si plan dhe strategji për bashkpunimin rajonal dhe zgjidhje të konflikteve. Sipas ministrisë, ministrja theksoi se ka aktorë në Ballkan që po tentojnë ta minojnë këtë koncept duke u përpjekur t’i kthejnë kohërat e vjetra në këtë rajon, kur përplasjet politike dhe ekonomike ishin të ndërlidhura.
“E quajnë ‘mini-shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë.
Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë”, u shpreh Gërvalla.
Ajo i bëri thirrje BE-së që të ndërmerr hapat e nevojshëm për ta ndalur këtë proces para se të jetë vonë. “Ky proces mund të jetë shumë i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, shtoi ajo më tej.
Tutje, diskutimet u zhvilluan duke u fokusuar në temat që lidhen me procesin e zgjerimit, sundimin e ligjit si dhe zgjidhjet për krijimin e një Evrope të qëndrueshme pas pandemisë Covid-19. “Me këtë rast u bë thirrje që të bëhet vaksinim në masë në mënyrë që sa më parë të gjitha shtetet t’i kthehen normalitetit.”, u bë e ditur nga MPJD./21Media

Back to top button