Gërvalla: Nuk jam optimiste për përfundim të shpejtë të dialogut

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i tha RTV21 se nuk është optimiste se fundi i dialogut me Serbinë është shumë afër. Ajo tha se nuk beson në gatishmërinë e Serbisë për të bërë përparim në dialog dhe e akuzoi Beogradin zyrtar për mos interesim për të çuar përpara çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ministrja Gërvalla i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjnë të ditur Presidentit Vuçiq, se koha për njohjen e Kosovës ka kaluar. Ministrja Gërvalla shprehu optimizmin e saj të thellë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë.
Si e perceptoni mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, çdo gjashtë muaj po vini këtu po takoheni, thuaj po flitet për të gjitha për të njëjtat gjëra, shumë pak po ndryshon shumë pak po avancon
Po në fakt misioni i UNMIK-ut në Kosovë e ka kryer detyrën në Kosovë prej shumë vitesh prandaj nuk është i nevojshëm aspak prezenca e një misioni të tillë gjë që u pa edhe gjatë takimit të sotëm të Këshillit të Sigurimit, ku shumë prej shteteve të rëndësishme e shprehen madje edhe këtë opinion duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje se si misioni i UNMIK-ut ta përfundojë punën e tij në Kosovë dhe t’i gjinden detyra të tjera. Në anën tjetër vërtetë progresi është shumë i vogël, por po ta keni vënë re sot diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit do ta shihni që është duke u shtuar numri i atyre madje edhe në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, numri i atyre të cilëve ose kanë qëndrim përkrahës për Kosovën ose në rastin më të keq kanë qëndrim neutral ndaj Kosovës, natyrisht që Kina dhe Rusia janë dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të cilat nuk e përkrahin dhe nuk e kuptojnë rrugën e Kosovës, por shtetet e tjera në një masë të madhe, në një shumicë të madhe kanë qëndrim përkrahës edhe kjo na jep ndjenjën, na jep shpresën që rruga ndërkombëtare e Kosovës çdo ditë vjen duke u forcuar, çdo ditë vjen duke u stabilizuar dhe në një të ardhme jo shumë të largët ndoshta do të mund të zgjidhim edhe problemet kryesore që kemi në këtë fushë.
A ka ardhur koha që të kërkoni më më këmbëngulësi nga partnerët ndërkombëtarë që të reduktohet raporti për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Kosova nuk është zonë konflikti më, pavarësisht se ende është në fuqi rezoluta 1244?
Po ne madje e kemi bërë dhe jo vetëm që e kemi bërë një gjë të tillë, por edhe kemi gjetur përkrahje të madhe në këtë kërkesë tonën për ta reduktuar jo vetëm intensitetin, pra jo vetëm të mos jetë dy herë në vit,  nëse ju kujtohet të kaluarën ka qenë madje edhe katër herë në vit seanca, por edhe për ta bërë të tepër këtë lloj dëgjimi për shkak se Kosova nuk është më një çështje që ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin në rajonin e tonë. Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, siç thonë matjet ndërkombëtare dhe është një shtet në të cilin e kemi tejkaluar prej shumë kohësh fazën e bisedave, diskutimeve, debateve rreth paqes dhe stabilitetit për të cilat OKB-ja do të duhet të kujdesej në pjesë të tjera të botës.
Ministre Gërvalla, Kosova është  përballë një sfide të përmbylljes së dialogut me Serbinë, në fakt ju keni në tavolinë propozime e zgjidhjes përfshirë atë franko- gjermane, mund ta zbuloni çfarë është e veçanta e tij, a përmban edhe pjesën e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare?
Por, shikoni përmbyllja e dialogut me Serbinë është një çështje e nevojshme, por nuk besoj shumë në gatishmërinë e Serbisë për të bërë progres me dialog, sepse në fund të fundit Serbia në këtë proces të dialogut nuk ka treguar as interesimin më të vogël për të çuar përpara temat që kanë të bëjnë me Kosovën, prandaj faza për përmbylljen e dialogut ka qenë para shumë vitesh dhe po përsëritet vazhdimisht, por megjithatë në dialog gjithmonë janë të ulur në tavolinë së paku dy palë, dhe nëse njëra palë nuk ka as njëlloj interesimi për të çuar përpara bisedat dhe negociatat atëherë do të jetë shumë vështirë se si do ta përmbyllim dialogun me të.
Ne kemi biseda të ndryshme, kemi propozime të ndryshme, të cilat i zhvillojmë duke u bazuar në një besim të madh që kemi të ndërsjellët që kemi me partnerët kryesorë të Republikës së Kosovës dhe nga këto biseda  vazhdimisht dalin propozime dhe ide interesante, por të gjitha këto janë të pavlefshme nëse njëra palë nuk tregon as interesimin  më të vogël. Prandaj, është koha përfundimtare që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm të Kosovës të dërgojnë një mesazh të fuqishëm në Beograd dhe t’i bëjnë të ditur Presidentit Vuçiq se koha tashmë ka kaluar për njohjen e Republikës së Kosovës. Teksti është i qartë se për çfarë është dialogu, atë nuk e themi vetëm ne, po atë e ka vërtetuar Presidenti Amerikan, e ka konfirmuar Kancelari gjerman dhe shumë kryetarë shtetesh të BE-së, e cila është njohja e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës. Dhe, drejt asaj njohje jemi duke punuar, por nuk jam kaq optimiste sa ju me këtë konstatimin tuaj që fundi i dialogut është shumë afër.
Po, jemi dëshmitarë të një urgjence apo presioni nga qarqet ndërkombëtare që të përmbyllet dialogu brenda dy viteve, para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Nuk e di a është urgjenca e ndërkombëtarëve për dy vitet, unë mendoj që është urgjencë edhe e jona, sepse kemi një konstelacion politik mjaft të favorshëm për Kosovën gjatë këtyre dy viteve dhe prandaj jemi shumë konstruktiv dhe shumë të angazhuar rreth gjetjes së formave të ndryshme se si në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova do të mund të arrijë njohjen e ndërsjellë. Por, përsëri të gjitha idetë tona, të gjitha përpjekjet tona nuk do të mund të çojnë askund nëse Bashkësia Ndërkombëtare nuk i jep një sinjal të qartë Serbisë dhe po shohim zhvillimet e fundit, po shohim se Serbia, madje këtu në Nju Jork, këtu ku jemi tani, pak javë më parë, lidhi një marrëveshje rreth sinkronizimit të politikës së jashtme me Rusinë, në një kohë kur Rusia, jo vetëm është agresore në Ukrainë, por është armiqësuar me një pjesë të madhe të botës përreth. Pra, ky sinjal shumë i qartë është, jo vetëm, në Kosovë i thonë flakarsh֝ë Bashkësisë Ndërkombëtare, por është edhe një sinjal që me Serbinë do të jetë shumë e vështirë të bisedohet gjatë viteve të ardhshme. Urgjenca është aty, qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë që të mendojnë për perspektivën e tyre, të lirë nga kërcënimet që vijnë nga fqinji verior.
Ministre, liberalizimi i vizave sërish ka hasur një pengesë të re, por megjithatë, Presidenca çeke tha se do ta trajton me urgjencë gjatë gjithë mandatit 6 mujor, sa optimiste jeni që do të mund të merret drita jeshile?
Liberalizimi i vizave për Kosovën ka hyrë në fazën e tij finale dhe ditëve të fundit është bërë një hap shumë i rëndësishëm, një hap tejet i rëndësishëm, në këtë rrugë drejt liberalizimit të vizave. Unë do të rekomandoja që të mos dëgjojmë shumë thashetheme kafeve, por t’i japim procesit një shans, sepse nuk ka kushte të reja, nuk ka kushtëzime të reja, nuk ka barriera të reja rreth Kosovës, ka disa propozime, por ato propozime duhet të gjejnë një shumicë si përkrahje, se përndryshe ato propozime nuk pranohen. Prandaj, t’i lëmë të gjithë atyre që e përkrahin me ngulm, si Gjermania, Austria dhe shtetet e tjera, t’ju lëmë një shans që në një proces të denjë të zgjidhet çështja e liberalizimit të vizave dhe qytetarët tanë, si populli i fundit i izoluar i rajonit tonë, të mund të qarkullojnë të lirë nëpër Evropë.
Domethënë jeni optimiste?
Unë jam jo vetëm optimiste, por jam shumë optimiste!/21Media

Back to top button