Gërvalla takon sekretaren e Punëve të Jashtme gjermane, diskutojnë për sigurinë

(Lajm i përditësuar)


Situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, partneriteti në shumë fusha dhe mbështetja në fushën e sigurisë ishin temat kryesore të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Baumann.

Sipas një komunikate nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, gjatë takimit bilateral, Ministrja Gërvalla vuri në pah veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, nevojën e ndërmarrjes së hapave konkret në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Siguria nacionale dhe globale si dhe rreziqet me të cilat po përballet ajo janë sfida të të gjitha shteteve dhe vetëm me një bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të përbashkëta mund të arrijmë që të krijojmë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në botë”, tha Ministrja Gërvalla.


 

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, ka mbajtur një takim bilateral me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet në Sekretariatin e Shtetit të Selisë së Shenjtë të Vatikanit, Imzot Paul Richard Gallagher.

Sipas njoftimit të ministrisë, përparimi i dukshëm në marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Vatikanit dhe bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët, ishin temat kyçe të takimit mes ministres Gërvalla dhe sekretarit, Imzot Gallagher.

Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla e njoftoi Sekretarin Gallahgher rreth progresit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, zhvillimin ekonomik, situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.

Back to top button