Gjenden trupat e 900 civilëve në rajonin e Kievit

Autoritetet ukrainase vazhdojnë të zbulojnë më shumë trupa përreth kryeqytetit, Kiev, më shumë se një javë pasi trupat ruse u larguan nga zona për t’u përqëndruar në Ukrainën lindore.

“Me keqardhje, mund të them se ne kemi gjetur trupat e 900 civilëve të vdekur dhe i kemi transferuar tek ekspertët mjeko-ligjorë”, tha në një konferencë shefi i policisë së rajonit të Kievit, Andriy Nebytov.

Ai u shpreh se më shumë se 350 prej trupave u morën nga Bucha – ku provat e mizorive çuan në akuza për krime lufte kundër trupave ruse, të mohuara nga Moska.

Heqja e rrënojave në Borodyanka dhe Makarov po vazhdon dhe “do të ketë ende trupa të të vdekurve nën rrënoja,” shtoi shefi i policisë.

Ai theksoi se të vrarët ishin civilë dhe nuk kishin asnjë lidhje me formacionet ushtarake.

BBC raporton se nuk është në gjendje të verifikojë këto pretendime specifike në mënyrë të pavarur./21Media

Back to top button