Gjendja e rënduar e sektorit të shëndetësisë

Shoqata e të Drejtave të pacientëve dhe Oda e Mjekëve vlerësojnë se sektori i shëndetësisë në vendit tonë është në gjendje të rënduar. Në anën tjetër qeveria synon që përmes Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi të arrijë funksionim normal të sistemit shëndetësor si dhe reformat.
Themelimi i këtij komisioni nga Shoqata e të drejtave të pacientëve dhe Oda e Mjekëve po shihet si nismë e mirë por që duhet të këtë strategji të qartë reformuese. Ndërkaq ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, thotë se formimi i këtij komisioni do të jetë ndihmë për të.
Pacientëve çdo ditë e më shumë po u vështirësohet qasja në shërbimet publike shëndetësore. Shoqata e të drejtave të pacientëve të Kosovës vlerëson se kjo është pasojë e problemeve të shumta në shëndetësi.
Ndërsa, në Odën e Mjekëve të Kosovës thonë se gjendja e rënduar në sektorin e shëndetësisë është pasojë e mosbashkëpunimit midis institucioneve përkatëse.
Gjendja e rënduar në shëndetësi çoi në themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.
Ditë më parë qeveria e Kosovës formoi këtë komision të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, përmes së cilit synohet përmirësimi i gjendjes në sektorin e shëndetësisë.
“E kemi ngritur komisionin ekzekutiv për shëndetësi që kryesoj unë për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe hapur rrugë reformës në shëndetësi”, ka thënë Kurti.
Teksa komenton të qenët e kryeminsitrit Kurti në krye të Komisionit Ekzekutiv të Shëndetësisë, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi thotë se ky komision do të jetë ndihmë për të.
Themelimi i Komisionit ekzekutiv të Shëndetësisë po shihet si iniciativë e mirë edhe në Shoqatën e të drejtave të pacientëve, por konsiderojnë se duhet të ketë strategji konkrete.
Ndërsa, në Odën e Mjekëve të Kosovës nuk dhanë pritshmëritë e tyre për ndryshimet në shëndetësi përmes këtij komisioni, por shpresojnë që të rritet bashkëpunimi i institucioneve përkatëse.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ndër përgjegjësi të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi është reformimi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale./21Media

 

Back to top button