Gjërat e ndaluara me të cilat familjarët tentojnë “t’i furnizojnë” të burgosurit
“Kërkesat ilegale” e të burgosurve nëpër burgjet e Kosovës janë që brenda qelisë të kenë drogë, telefona por, edhe para. E këto kërkesa familjarët mundohen t’ua plotësojnë përmes dërgesave nga jashtë, zakonisht përmes pakove me postë. Vetëm gjatë vitit 2021 janë regjistruar 8 raste të familjarëve që tentuan të fusin kontrabandë nëpër institucionet korrektuese ka konfirmuar portalin rtv21.tv.
Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK-së), Florent Gashi për portalin rtv21.tv foli për kontrabandën që bëhët në burgje.
“Tentimet për futjen e kontrabandës më të shpeshta janë Narkotik dhe Telefona Mobil, me raste edhe të holla (Para)”, ka thënë ai.
Zakonisht kontrabanda tentohet të realizohet nga familjarët e të burgosurve. Sivjet kanë ndodhur 8 raste.
“Rastet të familjarëve që tentojnë të fusin kontrabandë nëpër institucionet korrektuese, gjatë vitit 2021, deri tani kanë qenë gjithsej 08 raste, më të shpeshtat janë tentimet gjatë vizitave familjare dhe pakove me postë”, konfirmoi Gashi.
Portali rtv21.tv ka raportuar për rastet e tentimit të futjes së gjërave të ndaluara në burgje, qoftë përmes atleteve apo bishtit të tiganit.
Kur oficerët e burgjeve kapin gjëra të tilla, pasojnë edhe dënimet për të burgosurit.
“Në rastet kur një familjar tenton të fus gjëra të palejuara në institucione korrektuese, atëherë i burgosuri sanksionohet vetëm me çështjen e vizitave nga institucioni (rregullave te brendshme), ndërsa me familjarin e të burgosurit zhvillohet procedure nga ana e Policisë”, ka thënë Gashi.
Aktualisht numri i të burgosurve në institucione korrektuese është 1 mijë e 751, prej tyre 1 mijë e 120 janë të dënuar, ndërsa 631 janë të paraburgosur./21Media