Gjermania i premton Ukrainës një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore Patriot

Gjermania i ka premtuar Ukrainës një sistem tjetër të mbrojtjes ajrore Patriot për të zbutur sulmet në infrastrukturë me afrimin e dimrit, njoftoi kancelari, Olaf Scholz pas një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Spanjë.

Forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës me sistemin Patriot “është ajo që nevojitet tani — sigurimi i mbrojtjes ajrore me këtë sistem shumë efikas” u tha Scholz gazetarëve në qytetin jugor spanjoll të Granadës, ku liderët evropianë dhe presidenti ukrainas u takuan të enjten.

“Ne i kemi dhënë Ukrainës me sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot në të kaluarën dhe i kam thënë presidentit ukrainas këtu se do t’i ofrojmë Ukrainës një sistem tjetër për muajt e dimrit”, tha Scholz.

“Ne duhet të presim që Rusia do të përpiqet të kërcënojë përsëri infrastrukturën dhe qytetet e Ukrainës në dimër me sulme me raketa, me sulme me dronë, me gjithçka të mundshme”.

Ndërkohë, Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock tha se Gjermania do të “bëjë gjithçka” për të siguruar që Ukraina të mund të mbrohet nga “terrori raketor” i Rusisë.

“Më shumë se 50 njerëz të vdekur në Hroza” tha Baerbock në X, i njohur më parë si Twitter. “Për sa kohë që bombat bien në supermarkete dhe kafene, ne bëjmë gjithçka për të siguruar që Ukraina të mund të mbrohet nga terrori raketor i Putinit”./21Media

Back to top button